Nelson Hysa e pësoi humbjen e parë në karrierën e tij pikërisht në sfidën më të madhe, përballë kampionit të botës. Por zhgënjimi i ringut u pasua edhe nga një lajm i keq për shëndetin e tij. Boksieri shqiptar kaloi orët e para të mëngjesit në spital, ku mjekët konstatuan këputjen e ligamentit të bërrylit, një dëmtim që do të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale. Aktualisht, Hysa ndodhet në hotel, ndërsa momenti i operacionit do të përcaktohet nga mjekët.
Një mbrëmje që kishte nisur si sfida më e madhe e karrierës së tij, por që përfundoi në mënyrën më të papritur. Nelson Hysa u largua nga ringun pa fitoren që kishte ëndërruar, por mbi të gjitha me një dëmtim që e detyroi të ndërpriste duelin në momentin më të vështirë. Përballë kishte një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, kampionin e botës, në një sfidë të kategorisë super të rëndë, ku çdo lëvizje, çdo goditje dhe çdo kontakt kërkon forcë e përgatitje në nivelin maksimal.
Boksieri shqiptar nuk kishte mbërritur rastësisht në këtë përballje. Përgatitja kishte qenë intensive, ndërsa Hysa kishte punuar gjatë për të shfrytëzuar mundësinë më të rëndësishme të karrierës së tij.
Por përballë kampionit të botës, në një prej sporteve më të ashpra dhe në peshën ku fuqia fizike arrin kufijtë maksimalë, çdo detaj ka rëndësi. Dëmtimi i bërrylit ishte goditja përfundimtare e një mbrëmjeje që nuk shkoi sipas parashikimeve.
Humbja e parë në karrierë për Nelson Hysën erdhi në rrethanat më të vështira e megjithate. kjo përballje tregoi edhe se nje shqiptar kishte guximin të ngjitej në një nivel ku pak boksierë arrijnë të konkurrojnë.