Një grua 39-vjeçare u arrestua në Itali pasditen e së shtunës, me dyshimin se tentoi të vrisë vajzën e saj 8-vjeçare duke e shtypur me një kordon prej gome. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në Marina di Montemarciano, në provincën e Ankonës, dhe e mitura ndodhet në gjendje shumë të rëndë; mjekët janë të rezervuar për ecurinë e saj shëndetësore.
Sipas agjencisë ANSA, familja kishte planifikuar të shkonte në kinema në Senigallia. Babai ishte zbritur më herët dhe po priste bashkëshorten dhe vajzën në makinë; i shqetësuar nga vonesa, ai u kthye në apartament dhe e gjeti vajzën pa ndjenja në dhomën e saj, me shenja cianoze, ndërsa e ëma ndodhej pranë në gjendje shoku. Babai i preu kordonin rreth qafës së vajzës dhe njoftoi urgjencën. Personeli mjekësor më pas sinjalizoi karabinierët, të cilët mbërritën së bashku me ekspertët e policisë shkencore.
Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit dhe prokurori i Ankonës, Andrea Laurino, 39-vjeçarja ka pranuar veprimin. ANSA raporton se gruaja ishte në gjendje të dukshme shoku dhe kishte shqiptuar fraza të paqarta, përfshirë “E kanë me mua”. Informacionet paraprake tregojnë se e dyshuara, e punësuar si punonjëse banke, mund të po përjetonte vështirësi psikologjike të lidhura me tragjedi familjare gjatë adoleshencës. Sipas medieve, kohët e fundit ajo dyshohet se kishte dhënë dorëheqje nga puna për shkak të shqetësimeve personale dhe ndjesisë se nuk kuptohej nga të tjerët.
Megjithatë, mediat italiane shkruajnë se përpara rastit gruaja nuk kishte shfaqur sjellje që të paralajmëronin një veprim të tillë dhe se, në dukje, jeta familjare ishte e qetë. 39-vjeçarja është arrestuar nën akuzën e tentativës për vrasje dhe është transferuar në burgun e Pesaros.
Vajza 8-vjeçare është shtruar në spitalin pediatrik Salesi, ku mjekët do të kryejnë ekzaminime për të përcaktuar nëse ka pësuar dëmtime si pasojë e mungesës së zgjatur të oksigjenit para se të shpëtohej nga babai.

