Presidenti Volodymyr Zelensky pret që zyrtarët t'i ofrojnë informacion, brenda mbrëmjes së sotme, lidhur me furnizimin nga partnerët e Ukrainës me raketa përgjuese për sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sipas agjencisë "Ukrinform", kreu i shtetit e bëri të ditur këtë përmes platformës Telegram, përcjell Telegrafi.


"Sapo kam zhvilluar një bisedë me të gjithë ata që merren me koordinimin me partnerët tanë për çështjet e mbrojtjes ajrore. Janë arritur marrëveshje konkrete. Disa prej tyre janë përmbushur tashmë – dua të falënderoj Norvegjinë – ndërsa të tjera janë ende në proces zbatimi. Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës, Ministria e Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të ngarkuar do të kontaktojnë sot palët që ende nuk i kanë dorëzuar paketat e tyre të mbështetjes. Pres një raport këtë mbrëmje lidhur me raketat dhe kontaktet e zhvilluara sot nga zyrtarët qeveritarë me partnerët: se kur do të mbërrijnë në Ukrainë raketat përgjuese nga paketat përkatëse", ka thënë Zelensky.

Ai vuri në dukje gjithashtu se Drejtoria Kryesore e Inteligjencës ka ofruar informacione lidhur me prodhimin e raketave nga ana e rusëve, grumbullimin e tyre dhe përgatitjet për sulme në territorin ukrainas.

Siç raporton "Ukrinform", gjatë javës së fundit, pushtuesit rusë kanë përdorur kundër Ukrainës tetë raketa, mbi 1.960 dronë sulmues dhe më shumë se 1.600 bomba ajrore. /Telegrafi/