Aktualitet

E rëndë në Itali/ Nëna tenton të mbysë vajzën 8-vjeçare, babai e gjen pa ndjenja në dhomë

Një grua 39-vjeçare është arrestuar në Itali, pasi ka tentuar të mbysë vajzën e saj 8-vjeçare me një kordon prej gome. E mitura ndodhet në gjendje shumë të rëndë, ndërsa mjekët mbeten të rezervuar për ecurinë e gjendjes së saj shëndetësore

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, rreth orës 18:00, në Marina di Montemarciano, në provincën e Ankonës.

Familja kishte planifikuar të shkonte në kinema në Senigallia. Babai kishte zbritur më herët dhe po priste bashkëshorten dhe vajzën në makinë, por i shqetësuar nga vonesa e tyre, ishte kthyer në apartament.

Ai e kishte gjetur vajzën pa ndjenja në dhomën e saj, me shenja cianoze, ndërsa bashkëshortja ndodhej pranë saj, në gjendje shoku.

Babai kishte prerë kordonin prej gome që vajza kishte rreth qafës, duke e liruar atë, dhe kishte njoftuar menjëherë urgjencën. Personeli mjekësor kishte sinjalizuar më pas karabinierët, të cilët mbërritën në vendngjarje së bashku me ekspertët e policisë shkencore.

Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit dhe prokurori i Ankonës, Andrea Laurino, 39-vjeçarja ka pranuar atë që kishte bërë. Sipas ANSA-s, gruaja ishte në gjendje të dukshme shoku dhe kishte shqiptuar fraza të paqarta, mes të cilave edhe “E kanë me mua”.

Sipas informacioneve paraprake, gruaja, e cila punonte si punonjëse banke, dyshohet se po përjetonte vështirësi psikologjike, të lidhura me tragjedi familjare që kishte përjetuar gjatë adoleshencës. Kohët e fundit ajo dyshohet se kishte dhënë edhe dorëheqjen nga puna për shkak të shqetësimeve personale dhe ndjesisë se nuk kuptohej nga të tjerët.

Megjithatë, sipas medias italiane, gruaja nuk kishte shfaqur më parë sjellje që mund të paralajmëronin një veprim të tillë, ndërsa në dukje jeta familjare ishte e qetë.

39-vjeçarja është arrestuar nën akuzën e tentativës për vrasje dhe është transferuar në burgun e Pesaros.

Ndërkohë, vajza 8-vjeçare ndodhet e shtruar në spitalin pediatrik Salesi. Mjekët do të kryejnë ekzaminime për të përcaktuar nëse e mitura ka pësuar dëmtime si pasojë e mungesës së zgjatur të oksigjenit, përpara se të shpëtohej nga babai

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.