Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, se një prej protestuesve të plagosur gjatë tubimit ndodhet në koma dhe në rrezik për jetën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla i ka cilësuar pretendimet e Shehajt si të pavërteta, duke publikuar edhe një deklaratë të mjekut të Spitalit Universitar të Traumës lidhur me gjendjen shëndetësore të pacientit.

“Një mashtrues profesionist sapo ka dalë dhe ka thënë se një protestues është në koma dhe në rrezik për jetën. Nuk ka asnjë të vërtetë! Ndiqni mjekun e Spitalit të Traumës”, shkruan Balla.

Sipas deklaratës mjekësore, protestuesi ka pësuar traumë në kokë dhe ndodhet në terapi intensive, nën monitorimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor. Mjeku bën me dije se për pacientin ekziston aktualisht indikacion për ndërhyrje kirurgjikale.

Ai sqaron se pacienti është i përgjumur, por reagon ndaj komunikimit verbal nga personeli mjekësor dhe familjarët. Gjendja e tij do të vijojë të vlerësohet në dinamikë, përmes monitorimit të parametrave jetësorë dhe statusit neurologjik.

Nga ana tjetër, deputeti Agron Shehaj kishte deklaruar më herët se një protestues ndodhej në koma dhe në rrezik për jetën, ndërsa një tjetër rrezikonte të humbiste shikimin.

Shehaj ka denoncuar gjithashtu veprimet e policisë ndaj deputetëve të opozitës, Erald Kapri dhe Kliti Hoti, gjatë protestave të 28 dhe 29 nëntorit. Ai i ka kërkuar SPAK-ut të nisë hetimet, të sekuestrojë pamjet filmike dhe komunikimet e policisë, si dhe të identifikojë efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që kanë dhënë urdhrat.