Drejt Arabisë Saudite me 420 pasagjerë, aeroplani në pistën e aeroportit të Dhakës detyrohet të ndërpresë ngritjen - pasi u pa tym që dilte

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë "US-Bangla Airlines", që ishte nisur për në Arabinë Saudite, ndërpreu ngritjen në pistën e aeroportit të Dhakës, Bangladesh - të dielën, pasi u konstatua një problem teknik.
Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar "Hazrat Shahjalal" bënë të ditur se, kur aeroplani u ndal në orën 16:30, u pa tym që dilte nga pjesa e pajisjeve të uljes, përcjell Telegrafi.
Të 420 pasagjerët u evakuuan të gjithë të sigurt nga aeroplani "Airbus A330", deklaroi Riaz Uddin, zëdhënës i drejtorit ekzekutiv të aeroportit.
Ai theksoi se, pavarësisht tymit, nuk u vërejt zjarr në aeroplan, duke shtuar se ekipi zjarrfikës i aeroportit ndërhyri menjëherë.
Kompania "US-Bangla Airlines" lëshoi një deklaratë lidhur me ngjarjen, duke bërë të ditur se fluturimi BS-361, i cili u ndërpre, ishte planifikuar të mbërrinte në Xheda, në Arabinë Saudite, në orën 21:15.
NOW: Smoke spotted near the landing gear of a Jeddah-bound US-Bangla Airlines flight after the pilot aborted takeoff due to a technical issue at Hazrat Shahjalal International Airport in Dhaka, Bangladesh. All 420 passengers safely evacuated. https://t.co/2UJH9WmL83
— Weather Monitor (@WeatherMonitors) November 29, 2026
Pasagjerët do të dërgohen sa më shpejt në qytetin saudit me një aeroplan tjetër, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Kamrul Islam, zyrtar për marrëdhëniet me publikun i kompanisë ajrore.
Në deklaratë shtohet se problemi teknik kishte të bënte me mospërputhje të treguesve në instrumente, një dukuri që konsiderohet e zakonshme gjatë operacioneve të fluturimit.
Tymi u shkaktua nga fërkimi i tepërt midis pistës dhe gomave të aeroplanit, pasi ngritja u ndërpre papritur në momentin e fundit.
Gjithashtu, në deklaratë theksohet se pajisjet e uljes, rrotat, motori dhe pjesë të tjera të aeroplanit nuk u përfshinë nga zjarri. /Telegrafi/



































