Kreu i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratave të forta nga kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me gjendjen shëndetësore të një protestuesi të lënduar gjatë protestës. Shehaj deklaroi se një protestues ndodhej në gjendje kome dhe në rrezik për jetën, ndërsa një tjetër rrezikonte të humbiste shikimin.
Ai kërkoi që SPAK të nisë hetimet për incidentet e raportuara gjatë protestave, përfshirë rastet e deputetëve Erald Kapri dhe Kliti Hoti. Balla i cilësoi deklaratat e Shehajt si të pavërteta, duke iu referuar sqarimit të një mjeku të Spitalit të Traumës. “Një mashtrues profesionist sapo ka dalë dhe ka thënë se një protestues është në koma dhe në rrezik për jetën. Nuk ka asnjë të vërtetë! Ndiqni mjekun e Spitalit të Traumës”, shkruan Balla.
Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit ku efektivi Ersild Alliu qëlloi me plumb gome deputetin e PD-së, Kliti Hoti në protestën e kësaj të diele, duke njoftuar pezullimin e menjëhershëm të tij nga detyra dhe nisjen e një hetimi disiplinor. Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Drejtues i Parë Agron Çeli, sqaron se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, duke e cilësuar ngjarjen si një veprim individual të punonjësit të policisë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka nisur veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur këtë të diel, më 29 nëntor, pranë Hotel Dajtit në kryeqytet. Sipas njoftimit të AMP-së, deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, 56 vjeç, dyshohet se është goditur me plumb gome në shpinë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të efektivit të Policisë së Shtetit, pas plagosjes së deputetit të PD, Kliti Hoti. Po ashtu Demo bën të ditur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes dhe pezullimin e punonjësit të përfshirë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur nga Spitali i Traumës, pas plagosjes së deputetit demokrat Kliti Hoti, i cili u qëllua me plumb gome gjatë protestës. Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se goditja ndaj deputetit demokrat ishte e qëllimshme dhe përbënte një tentativë për vrasje.
”Me urdhër të Ramës, u qëllua me tentativë për t’u vrarë deputeti i PD-së, doktor Kliti Hoti, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe, në cilësinë e deputetit dhe të mjekut, ka qëndruar me një përkushtim të madh pranë të gjithë protestuesve të agresuar barbarisht, pa asnjë motiv, nga narkobanditët e Ramës për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës. Deputeti po vraponte pas një protestuesi që po e trajtonin shtazërisht narkobanditët dhe ata e qëllojnë në distancë. E marrin në shenjë në zemër, por Zoti, një fuqi e mbinatyrshme, instinkti e kthen Hotin. Ai bën një rrotullim dhe arma e kap në shpatullën e djathtë. Një goditje nga afër, shumë e rëndë, me një plagë të thellë, me djegie përreth, sikur të ishte ndonjë plumb”, deklaroi Berisha.
Lexoni edhe:
Berisha: E meritojnë të digjen komisariatet nga protestuesit!
Sulmet ndaj deputetëve në protestë, Shehaj: SPAK të hapë menjëherë hetim për të gjitha rastet
Protestuesi godet në befasi efektivin pas shpine dhe e rrëzon në tokë
Tensione pranë selisë të PS-së, qendra e tejmbushur me gazlotsjellës