Një vit pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, familja e tij organizon këtë të diel, më 29 nëntor, një mbrëmje përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës artistike të tij.
Aktiviteti ka filluar në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku familjarët, miqtë, kolegët dhe admiruesit e këngëtarit janë ftuar të kujtojnë artistin dhe trashëgiminë muzikore që ai la pas.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, familja Kasapi ka ftuar të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar artistin t’i bashkohen kësaj mbrëmjeje.
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa ndodhej në Itali. Largimi i tij i parakohshëm nga jeta preku publikun shqiptar dhe komunitetin artistik.
Me një karrierë të pasur muzikore, Kasapi la pas një repertor këngësh që shoqëruan breza të tërë.
Në kuadër të njëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, edhe në studion e emisionit “E diell” në Top Channel, miqtë dhe bashkëpunëtorët e këngëtarit ndanë kujtime nga takimet e fundit me të, ndërsa prezantuan edhe këngën e tij të papublikuar, “Kur u ndamë”.
Ata zbuluan se artisti kishte lënë pas edhe një tjetër këngë, të titulluar “Lamtumirë”, për publikimin e së cilës do të kontaktojnë me familjarët e tij.










