Dy orë bisedime dhe asnjë marrëveshje. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe lideri i opozitës Gadi Eisenkot zhvilluan një takim për të diskutuar mundësinë e krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar, por negociatat përfunduan pa një rezultat konkret.
Sipas një deklarate të përbashkët të dy partive, takimi nisi me një informim mbi çështjet e sigurisë dhe vijoi me diskutimet për formimin e qeverisë së re.
Megjithatë, palët nuk arritën të kapërcenin dallimet mes tyre, ndërsa nuk është parashikuar një takim tjetër.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën politike, Netanyahu i propozoi Eisenkotit që ky i fundit të merrte fillimisht postin e kryeministrit, ndërsa ai vetë të shërbente si kryeministër alternativ, me mundësinë e një rotacioni të mëvonshëm në drejtimin e qeverisë. eisenkot raportohet se e ka refuzuar kategorikisht këtë kusht, ndërsa propozimi i Netanyahut është kundërshtuar edhe nga disa parti opozitare.
Ish-kryeministri Yair Lapid e ka akuzuar atë për mungesë besueshmërie në marrëveshjet politike.
Ndërkohë, Eisenkot mbetet nën presionin e partnerëve të tij në bllokun e ndryshimit, të cilët kundërshtojnë një qeveri të përbashkët me Netanyahun. Edhe kreu i Listës së Përbashkët të partive arabe, Yousef Jabareen, ka kërkuar refuzimin e ofertës, duke theksuar se synimi duhet të jetë largimi i Netanyahut nga pushteti.
Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë e re. Ligji i jep mundësinë ta zgjasë këtë afat edhe me 14 ditë, por ai ka deklaruar se nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi. Nëse nuk arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare, Izraeli rrezikon të përballet me një tjetër ngërç politik.










