Gazetarja e televizionit spanjoll, Laura de Chiclana, u shty dhe u sulmua në mënyrë agresive nga një kolon në Bregun Perëndimor, ndërsa po raportonte mbi dhunën ndaj palestinezëve.

Këtë e bëri të ditur të shtunën rrjeti televiziv spanjoll Telecinco, duke publikuar pamje të incidentit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Sipas tyre, në video, de Chiclana shihet duke i bërë pyetje një koloni, i cili në një moment e shtyn atë.

Sipas rrjetit televiziv, de Chiclana, gazetare e departamentit të lajmeve, “u sulmua nga kolonë hebrenj ndërsa po raportonte për ngacmimet që pësojnë palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar”.

Pamjet e publikuara nga rrjeti tregojnë de Chiclana-n duke mbajtur telefonin pranë fytyrës së një burri që po e intervistonte – i cili duket se nuk dëshiron të bashkëpunojë – ndërsa të tjerë qëndrojnë përreth në distanca të ndryshme, disa prej të cilëve po filmojnë përplasjen.

Burri më pas e shtyn atë me forcë dhe vazhdon të ecë drejt saj; sipas raportimeve, kjo bëri që ajo të përplasej pas një muri, ndonëse ky detaj nuk shfaqet në video.

E ushtarët izraelitë që ishin në afërsi nuk reaguan dhe as nuk u përpoqën ta parandalonin incidentin.

Sipas mediave izraelit, Këshilli i Shtypit dhe Medias në Izrael e dënoi “fuqishëm” sulmin ndaj de Chiclana-s.

Në deklaratën e tij, këshilli theksoi se “është detyrë e autoriteteve kompetente, ushtrisë dhe policisë në zonë, të mbrojnë çdo gazetar që kryen detyrën e tij duke raportuar mbi ngjarjet në zonat e konfliktit, si dhe të parandalojnë sulmet ndaj tyre”.

Këshilli bëri gjithashtu thirrje që autori ose autorët e dyshuar të arrestohen dhe të ndiqen penalisht nga autoritetet, duke shtuar se po bashkëpunon me Shoqatën e Gazetarëve të Huaj në Izrael për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/