Policia e Shtetit pezulloi nga detyra efektivin që qëlloi me plumb gome në protestë deputetin demokrat, Kliti Hoti, dhe njoftoi nisjen e hetimeve për ngjarjen. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se dhuna nuk do të tolerohet nga askush. “Askush nuk është mbi ligjin. Aq më tepër një punonjës policie që ka për detyrë ta zbatojë. E drejta për protestë paqësore garantohet. Dhuna nuk tolerohet, nga askush. Ligji vlen njësoj për të gjithë, pa përjashtim”. Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Tiranës, Agron Çeli, tha se ndaj efektivit që plagosi deputetin Hoti po kryhet hetimi disiplinor.