Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Sheshi “Skënderbej” dhe disa rrugë të Tiranës u përfshinë nga tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë gjatë protestës së 29 nëntorit. Fotografitë e shkrepura gjatë ditës dhe në orët e mbrëmjes tregojnë ndërhyrjen e forcave të rendit me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, si dhe hedhjen e sendeve të forta dhe vendosjen e pengesave në rrugë.
Në bulevardin kryesor shihen gurë të shkulur nga kalldrëmi të shpërndarë përgjatë rrugës, automjete të blinduara të policisë dhe efektivë të pajisur me skafandra dhe mburoja të rreshtuar përgjatë bulevardit. Disa protestues largohen për t’iu shmangur ujit me presion, ndërsa në momente të tjera protestuesit krijojnë barrikada për të penguar lëvizjen e automjeteve ujëhedhëse të Policisë së Shtetit. Blloqe betoni, barriera metalike dhe kontejnerë mbeturinash janë zhvendosur në mes të rrugëve për të formuar pengesa.
Fotografitë sjellin edhe skena ku protestuesve të lënduar u jepet ndihma e parë, dhe në Sheshin “Skënderbej” dëshmohet praninë e një gruaje qëndron me flamurin kombëtar të shpalosur përballë kordoni të policisë. Në orët e mbrëmjes shfaqen kontejnerë mbeturinash të përfshirë nga flakët dhe përplasjet ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit vijojnë; në sfond shfaqen automjetet e policisë. As në këtë protestë nuk kanë munguar hedhja e molotovëve dhe vënia e zjarrit në kazanët e mbeturinave, disa prej të cilëve janë zhvendosur në mes të rrugëve për të krijuar barrikada.
Kontrasti vizual në fotografi është i fortë: flamuj kombëtarë dhe dekorime festive të fundvitit bashkë me retë e gazit lotsjellës dhe prezencën e automjeteve policore. Ngjarjet e këtij 29 nëntori përkojnë me festën e Çlirimit të Shqipërisë, duke shtuar elementin e përplasjeve publike në hapësirat qendrore të kryeqytetit. Top Channel.
