Nga kruajtësja e dhëmbëve prej ari te torta 182-vjeçare e dasmës mbretërore, objektet më të çuditshme të familjes mbretërore që kanë dalë në ankand

29/11/2026 20:35

Suveniret mbretërore nuk kufizohen vetëm te filxhanët përkujtimorë apo pullat postare.

Koleksionistët dhe admiruesit e familjes mbretërore janë të gatshëm të paguajnë shuma të konsiderueshme edhe për objekte të pazakonta, që kanë lidhje me historinë e monarkisë britanike, raporton Daily Mail.

Nga një shami e përdorur nga Mbretëresha Elizabeth II në fëmijëri, te një kuti ari për kruajtëse dhëmbësh që i përkiste Wallis Simpson, listës së objekteve të rralla nuk i mungojnë surprizat.

Një nga sendet më të veçanta është certifikata teknike e makinës funerale që transportoi Princeshën Diana drejt vendvarrimit të saj në Northamptonshire, në vitin 1997. Dokumenti i shkruar me dorë pritet të shitet për rreth 400 paund në një ankand në Norfolk. Të ardhurat do t’i dhurohen fondacionit Lennox Children’s Cancer Fund, që mbështet fëmijët e prekur nga kanceri.

Një tjetër objekt i pazakontë është një kuti 14-karatësh prej ari për kruajtëse dhëmbësh, në pronësi të Wallis Simpson, Dukeshës së Windsor. Ajo mban simbolin e kurorëzuar me inicialin W dhe është ofruar në ankand në Essex.

Ndërkohë, një shami pambuku e përgatitur posaçërisht për Mbretëreshën Elizabeth II në vitin 1947, kur ajo ishte ende princeshë, u shit për 1,700 paund, më shumë se trefishi i vlerës së parashikuar. Shamia ishte e qëndisur me inicialin E dhe simbolin mbretëror.

Në ankand pritet të dalë edhe një koleksion vizatimesh të bëra nga Mbreti Charles III gjatë kohës kur ishte nxënës në shkollën Cheam. Bashkë me to do të shiten edhe disa letra të shkruara prej tij, ku ai i referohej ish-kujdestarës së tij me nofkën “Dragon”. Koleksioni pritet të arrijë një vlerë prej 15 mijë deri në 20 mijë paund.

Mes objekteve të tjera të rralla është edhe një këmishë e bardhë për foshnja, që besohet se i ka përkitur Mbretit Charles II kur ishte i vogël. Ajo u gjet në papafingon e një shtëpie në Northamptonshire dhe u shit në ankand për më shumë se 600 paund.

Një letër e shkruar nga Mbretëresha Elizabeth II kur ishte rreth 10 vjeçe u shit për 25 mijë paund në shkurt të këtij viti, ndonëse vlera fillestare e parashikuar ishte vetëm 2 mijë paund. Në letër, princesha e vogël pyeste nëse zogjtë ishin mirë dhe nëse peshqit e kuq kishin ngordhur, duke shoqëruar shkrimin me vizatime të vogla kafshësh.

Në listën e objekteve të veçanta përfshihet edhe skenari origjinal i transmetimit të kurorëzimit të Mbretëreshës Elizabeth II, i përdorur nga prezantuesja e BBC-së, Sylvia Peters, në vitin 1953. Dokumenti u shit për 1,200 paund vitin e kaluar.

Një kuti cigaresh Cartier, dhuruar nga Mbreti George VI një zyrtari në Zelandën e Re, u shit për 4,500 paund në një ankand në Londër. Ajo shoqërohej nga një letër e vitit 1927, në të cilën mbreti e inkurajonte marrësin të rifillonte duhanpirjen.

Edhe veshjet e fëmijërisë së Mbretëreshës Elizabeth II dhe motrës së saj, Princeshës Margaret, janë pjesë e koleksionit që do të dalë në ankand. Fustanet, pulovrat, përparëset dhe veshje të tjera pritet të shiten deri në 6,500 paund secila.

Por një nga objektet më të pazakonta është një copë tortë kumbulle nga dasma e Mbretëreshës Victoria me Princin Albert, në vitin 1840. E ruajtur në kutinë origjinale përkujtimore, torta 182-vjeçare u shit në vitin 2023 për 700 paund, dyfishin e vlerës së parashikuar.

Top Channel