Protesta e zhvilluar këtë të diel, më 29 nëntor, në Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, u shoqërua me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, përdorim të gazit lotsjellës, autobotëve me ujë dhe hedhje molotovësh.
Pas rreth tetë orësh tubim, protesta u mbyll rreth orës 20:00, me të lënduar, protestues të shoqëruar dhe një deputet të opozitës të plagosur.
Marshimi nga “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, përplasjet me policinë
Protesta nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, të cilët rreth orës 13:00 marshuan drejt Kryeministrisë, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tensionet u shfaqën fillimisht përballë kordonit policor, ku protestuesit kundërshtuan vendosjen e flamurit kombëtar në pajisjet mbrojtëse të efektivëve, duke brohoritur “Hiqeni flamurin”.
Situata u përshkallëzua më tej me hedhjen e kapsollave, gurëve dhe molotovëve në drejtim të policisë. Forcat e rendit iu përgjigjën me gaz lotsjellës, ujë me presion, spraj me piper dhe plumba gome.

Përplasjet u zhvendosën disa herë nga Kryeministria drejt Parkut Rinia, bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Skënderbej”, ndërsa gjatë pasdites u raportuan edhe dëmtime të infrastrukturës rrugore.
Plagoset deputeti Kliti Hoti, PD kërkon përgjegjësi
Një nga incidentet më të rënda të protestës ishte plagosja e deputetit demokrat të Shkodrës, Kliti Hoti, i cili u qëllua me plumb gome në shpinë nga një efektiv policie. Deputeti u transportua në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi plagosjen si një akt me urdhër politik, ndërsa shkoi në spital për të vizituar deputetin.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, publikoi emrin e efektivit që, sipas tij, qëlloi Hotin, duke kërkuar arrestimin e tij dhe duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi politike dhe ligjore lidhur me ngjarjen.
Demo kërkon pezullimin e efektivit, Policia: Nuk kishte urdhër për të qëlluar
Pas plagosjes së deputetit, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kërkoi pezullimin e menjëhershëm të efektivit të dyshuar dhe nisjen e hetimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në vijim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosi pezullimin nga detyra të punonjësit me inicialet E.A. dhe nisi hetimin disiplinor ndaj tij.
Policia deklaroi se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome. Për të njëjtin rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, nisi veprimet hetimore.
Gazetarët në mes të përplasjeve, raportime për dhunë gjatë mbulimit të protestës
Përplasjet e kësaj të diele u shoqëruan edhe me raportime për dhunë ndaj gazetarëve dhe operatorëve që po ndiqnin protestën në terren.
Disa prej tyre u gjendën në mes të përplasjeve dhe u lënduan gjatë mbulimit të zhvillimeve.
12 të lënduar dhe 20 protestues të shoqëruar
Sipas bilancit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë deri në orën 15:00, 12 persona kishin marrë ndihmë mjekësore: tetë protestues, dy efektivë policie, një deputet dhe një kalimtar.
Ndërkohë, deri në orën 17:48, numri i protestuesve të shoqëruar në polici kishte arritur në 20. Bilanci mbeti paraprak, pasi përplasjet vijuan edhe pas publikimit të këtyre shifrave.
Protesta e 29 nëntorit erdhi vetëm një ditë pas tubimit të 28 nëntorit, i cili gjithashtu u shoqërua me përplasje, të lënduar dhe shoqërime në polici.
Për dy ditë radhazi, qendra e Tiranës u kthye në skenë përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa tubimet antiqeveritare vijojnë prej muajsh.













