Debakël i “helenëve” , nuk kualifikohen për Botëror për herë të parë pas 25 viteve!
Greqia pësoi humbje 83-74 në udhëtim ndaj Spanjës dhe, dy xhiro para përfundimit të kualifikimeve, mbeti pa gjasa për t'u kualifikuar në Kampionatin Botëror, i cili vitin e ardhshëm do të zhvillohet në Katar.
Ky ishte një tjetër goditje e rëndë për përfaqësuesen e drejtuar nga legjenda Vassilis Spanoulis, pasi do të mungojë në Kampionatin Botëror për herë të parë pas 25 vjetësh.
Duke mos u kualifikuar në Kampionatin Botëror, Greqia e ka komplikuar ndjeshëm edhe rrugën drejt Lojërave Olimpike në Los Angeles 2028.
Vetëm një vit pasi festoi fitimin e medaljes së bronztë në Eurobasket, Greqia po përjeton një nga momentet më të vështira në historinë e saj të fundit të basketbollit.
Përfaqësuesja që ka qenë dy herë kampione e Evropës, ka luajtur në finalen e Kampionatit Botëror dhe në radhët e saj ka një nga yjet më të mëdhenj të basketbollit botëror, për herë të parë që nga viti 2002 nuk do të marrë pjesë në një Kampionat Botëror. Mediat greke nuk e fshehin zhgënjimin, ndërsa disa prej tyre tashmë po bëjnë thirrje për ndryshime rrënjësore në basketbollin grek.















