Komediani Max Amini po mban këtë të dielë në Pallati Kongreseve shfaqjen e tij të dytë në Tiranë. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka shpërndarë disa pamje nga shfaqja e sotme, teksa ka edhe një mesazh për qytetarët.
Gonxhja nënvizon se pavarësisht zhurmës dhe dhunës së protestuesve në Tiranë është edhe ana e tjetër- mbrëmjet e bukura dhe plot humor. Ministri thotë se të gjithë duhet të shohin edhe përtej zhurmës e zallamahisë në kryqytet, teksa shton se për shfaqjet e Aminit ka mbi 16 mijë bileta të shitura.
“Kjo është Tirona jonë, Tirona e kontradiktës, e luftës, e paqes, e errësirës dhe e dritës, e mashtrimit, të vërtetës, shpifjes, interesit, e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit… Max Amini, live në Pallatin e Kongreseve, 8 shfaqje sold-out, mbi 16 mijë bileta të shitura, me një mesatare çmimi rekord për tregun shqiptar!
Kush do të dijë ç’mendon Tirana, bën mirë të dëgjojë edhe përtej zhurmës e zallamahisë. E bukura e këtij kryeqyteti është se ka vend për të kundërshtuar, për të dialoguar e për të kaluar një mbrëmje të bukur, pa ia prishur qejfin askujt”, shkruan Gonxhja.