Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar i kanë dërguar një letër të hapur kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, drejtuesve të grupeve parlamentare dhe anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në dokument kërkohet një reformë që të rikthejë besimin e qytetarëve te procesi i votimit dhe te institucionet demokratike.
Letra mban datën 26 nëntor 2026. Përfaqësuesit e universiteteve argumentojnë se standardi i demokracisë në vend ndikon drejtpërdrejt edhe në funksionimin demokratik të institucioneve. Ata sjellin si shembull universitetet, ku organet drejtuese zgjidhen përmes votës, duke theksuar se i njëjti besim duhet të ekzistojë edhe në zgjedhjen e institucioneve të tjera shtetërore.
Të lidhura
None found
Sipas firmëtarëve, protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit nga studentë, pedagogë dhe qytetarë në Tiranë e në qytete të tjera nuk duhen interpretuar si përplasje mes palëve politike. Në vlerësimin e tyre, këto reagime shprehin shqetësimin e një shoqërie që kërkon institucione më të përgjegjshme dhe llogaridhënie për zyrtarët e nivelit të lartë.
SPUSH dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar ngrenë shqetësime edhe për ligjet nr. 5/2026 dhe nr. 6/2026, si dhe për vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815/2026. Sipas tyre, këto akte vendosin kufizime ndaj të drejtës për protestë dhe lirisë së shprehjes. Për këtë arsye, kërkohet që ato të vlerësohen në përputhje me standardet kushtetuese, pasi një demokraci funksionale duhet të garantojë edhe shprehjen e kritikës qytetare.
Në letrën drejtuar Kuvendit renditen shtatë parime që, sipas përfaqësuesve të universiteteve, duhet të përfshihen në reformën zgjedhore.
Propozimi i parë është që mandati i çdo deputeti të burojnë nga vota e qytetarëve dhe jo nga pozicioni në listën e përcaktuar nga kryetari i partisë. Për këtë kërkohet përdorimi i listave tërësisht të hapura, ndërsa mandatet të ndahen proporcionalisht në rang kombëtar, me një prag zgjedhor që të mos kalojë 3%.
Një pjesë e veçantë e kërkesave i kushtohet shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ata propozojnë që diaspora të ketë përfaqësuesit e saj në Kuvend, përmes krijimit të një njësie zgjedhore të posaçme dhe duke u garantuar të drejtën e votës.
Organizatat nënshkruese kërkojnë gjithashtu që pjesëmarrja në zgjedhje të mos jetë e kushtëzuar nga anëtarësimi apo mbështetja e një partie politike. Sipas tyre, grupimet dhe iniciativat qytetare duhet të regjistrohen si subjekte zgjedhore dhe të përfitojnë të njëjtat mundësi si partitë, përfshirë financimin publik, hapësirën mediatike dhe përfaqësimin gjatë procesit zgjedhor.
Për zgjedhjet vendore propozohet që kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e njësive administrative të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes një sistemi me dy raunde dhe me një kufizim prej jo më shumë se dy mandatesh. Sipas dokumentit, edhe këshillat bashkiakë duhet të zgjidhen me lista plotësisht të hapura.
Një tjetër parim lidhet me administrimin e zgjedhjeve. Ky proces, sipas kërkesës, duhet t’u besohet strukturave të paanshme dhe jopartiake, të drejtuara nga profesionistë me integritet të dëshmuar. SPUSH kërkon po ashtu që fshehtësia e votës të mbrohet edhe gjatë numërimit, në mënyrë që vota e një zgjedhësi të mos identifikohet dhe të mos përdoret për ushtrim presioni.
Në dokument theksohet nevoja për të shmangur përqendrimin e pushtetit te një forcë e vetme dhe ushtrimin e tij pa afate të përcaktuara. Për këtë arsye, propozohet që kryeministri të mos ketë mundësi të qëndrojë në detyrë për më shumë se dy mandate.
Sa i takon kreut të shtetit, pedagogët kërkojnë që Presidenti i Republikës të zgjidhet nga Kuvendi përmes një procedure që kërkon konsensus të gjerë. Procesi nuk duhet të zgjasë më shumë se tre raunde votimi dhe zgjedhja nuk duhet të realizohet vetëm me votat e shumicës qeverisëse.
Në mbyllje të letrës, përfaqësuesit e universiteteve deklarojnë se janë të gatshëm të marrin pjesë në punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe të ofrojnë ekspertizën e anëtarëve të tyre.
Sipas tyre, shtatë parimet e paraqitura janë një pikënisje për rivendosjen e besimit te demokracia dhe për krijimin e kushteve që shqiptarët të mund të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.








