E diel, 29 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Lifestyle

Sindroma Down/ Emanuela Pepkola Zaimi: Çfarë ndodh me këta fëmijë kur rriten dhe nuk gjejnë më shërbime?

Si përballet një prind kur mëson se fëmija i tij ka një aftësi të kufizuar?

Për këtë temë foli në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë” nga Freskida Miloti, në Vizion Plus Emanuela Pepkola Zaimi, drejtuese e fondacionit Down Syndrome Albania.

Historia e fondacionit nisi me lindjen e djalit të saj, Arbit, në vitin 2011. Në atë kohë nuk kishte një organizatë që të mbronte të drejtat e personave me sindromën Down, as shërbime të përshtatshme për ta.

“Pasiguria që e shoqëron prindin gjithë jetën”

Reklamë

Sipas Zaimit, çdo nënë që mëson se fëmija i saj ka një aftësi të kufizuar përjeton në fillim një tronditje dhe dhimbje të madhe, sidomos kur dëgjon vetëm për vështirësitë. Por pasiguria, tha ajo, nuk mbaron me fillimin. Ajo e shoqëron prindin gjatë gjithë kohës.

Ajo shpjegoi se fillimisht shqetësimi është ku do të gjenden shërbimet dhe si do të përballohen ato financiarisht. Më pas vjen frika nga stigma dhe nga pranimi në kopsht e në shkollë. Prindërit vazhdojnë të pyesin nëse fëmija do të përfshihet vërtet apo thjesht do të ulet në bankë, dhe nëse do të ketë mësues ndihmës.

Pyetja më e madhe për çdo prind, tha ajo, është kush do t’i mbështesë këta fëmijë kur prindërit të mos jenë më?!

Emanuela shpjegoi se në vitet e para gjërat e thjeshta, si pirja nga biberoni apo edukimi për tualetin, kërkojnë punë të madhe. Ndërhyrja e hershme, sipas saj, nuk ndodh vetëm në një qendër, por përfshin familjen, çerdhen dhe kopshtin.

Si lindi Down Syndrome Albania?

Ajo tregoi se më 21 mars 2012 organizoi për herë të parë në Shqipëri shënimin e Ditës Botërore të Sindromës Down. Në 2013 fondacioni u prezantua me një koncert të tenorit Saimir Pirgu, ndërsa shërbimet u hapën në qershor të vitit 2014.

Që nga viti 2018, qendra ProPAK nuk u shërben vetëm fëmijëve me sindromën Down. Rreth gjysma e fëmijëve janë në spektrin e autizmit, ndërsa të tjerë kanë sindroma më të rralla. Sot qendra ndjek rreth 40 fëmijë. Shumica marrin shërbim falas ose me një tarifë simbolike.

Emanuela tha se në tri vitet e fundit fondacioni nuk ka më grante nga donatorët tradicionalë. Ai mbahet në këmbë falë bizneseve, dhuruesve individualë dhe fushatave si shitja e çorapeve për 21 marsin.

“Mbi 18 vjeç nuk ka fare shërbime”

Sipas saj, sfida më e madhe sot është mungesa e shërbimeve për të rinjtë mbi 14–15 vjeç, e sidomos mbi 18 vjeç. Ajo theksoi se këta fëmijë kanë nevojë për arsim profesional me kurrikula të përshtatura, qendra ditore, punësim dhe mundësi për jetesë të pavarur.

Ajo paralajmëroi se pa një politikë afatgjatë nga çdo qeveri, shumë familje mbeten të izoluara. Ka prindër që nuk arrijnë të punojnë dhe nëna të moshuara që kujdesen vetë për fëmijë të rritur. Shpesh motrat dhe vëllezërit ndihmojnë financiarisht nga emigracioni, por sipas saj paratë nuk mjaftojnë kur shërbimet nuk ekzistojnë. Ajo shtoi se vështirësitë janë edhe më të mëdha jashtë Tiranës dhe për personat me probleme lëvizshmërie.

“Lajmi i mirë dhe ai i keq për punësimin”

Zaimi tregoi se që nga viti 2023 fondacioni ka nisur një program punësimi gjithëpërfshirës, përmes të cilit janë punësuar 10 persona me aftësi të kufizuara.

Ana tjetër, sipas saj, është se programi shtetëror i nxitjes së punësimit e mbështet biznesin vetëm për një vit. Pas kësaj, shumë prej tyre mbeten sërish pa punë dhe nuk mund të përfitojnë nga i njëjti program para se të kalojnë pesë vjet.

Në fund, ajo bëri thirrje për fushatën “Bashkohu në rrethin e miqve ProPAK”. Qëllimi është të gjenden 400 dhurues të rregullt që kontribuojnë me 15 euro në muaj, në mënyrë që terapitë për fëmijët e qendrës të vazhdojnë.

Mesazhi i bisedës ishte i qartë: këta fëmijë janë unikë dhe të mrekullueshëm, por kur rriten kanë nevojë për më shumë se dashurinë e familjes. Kanë nevojë për shërbime, punë dhe një sistem që i mbështet.

Emisioni “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, transmetohet çdo të diel në orën 18:00 në Vizion Plus.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.