Lara Colturi në podium, e dyta në Slalomin e Killinghton
Lara Colturi regjistroi një tjetër rezultat të shkëlqyer në Kupën e Botës në Ski Alpine, duke u renditur e dyta në slalomin e Killingtonit, vetëm 9 të qindtat e sekondës pas fitueses Camille Rast. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë la pas kampionen olimpike Mikaela Shiffrin, e cila u rendit e treta, me 59 të qindtat diferencë nga vendi i parë.

Rast, medalistja e argjendtë olimpike nga Zvicra, siguroi fitoren e pestë në karrierën e saj në Kupën e Botës. Ajo arriti të rikuperojë diferencën prej 18 të qindtash ndaj Shiffrin, e cila kishte kryesuar pas zbritjes së parë.
Për amerikanen, kjo ishte gara e parë e slalomit këtë sezon, pasi kishte munguar në dy garat e para të zhvilluara në Europë. Megjithatë, podiumi në Killington shënoi një tjetër moment historik për të: podiumin e 100-të në slalom në Kupën e Botës. Shiffrin është sportistja e parë, femër apo mashkull, që arrin këtë shifër në një disiplinë të vetme.
Shiffrin ka fituar gjashtë nga tetë garat e mëparshme të slalomit në Killington, ndërsa 73 nga 110 fitoret e saj rekord në Kupën e Botës janë arritur në këtë disiplinë.Kjo ishte gjithashtu fundjava e parë e garave për Shiffrin në Killington pas dy vitesh mungesë. Të shtunën, ajo u rendit e dyta në slalomin gjigant, pas Alice Robinson.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




