Partitë e djathta në Spanjë, Partia Popullore (PP) dhe Vox, priten të sigurojnë një shumicë të ngushtë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara të dielën, më 29 nëntor, sipas projeksioneve të para të sondazhit të realizuar nga Sigma Dos për RTVE, të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit. Një rezultat i tillë mund t’i japë fund tetë viteve të qeverisjes socialiste nën drejtimin e kryeministrit Pedro Sánchez.
Sipas RTVE-së, Partia Popullore, e udhëhequr nga Alberto Núñez Feijóo, parashikohet të marrë 32,2% të votave dhe nga 129 deri në 134 mandate. Në këto numra përfshihet edhe bashkëpunimi me Unionin e Popullit Navarrez (UPN), që i shton dy mandate dhe e çon shifrën në 131–136 deputetë. Vox, nën drejtimin e Santiago Abascal, parashikohet të marrë 16,2% të votave dhe nga 44 deri në 48 mandate.
Së bashku, PP dhe Vox mund të arrijnë nga 175 deri në 184 vende në Kongresin prej 350 deputetësh; për shumicën absolute nevojiten 176 mandate. Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE), e kryesuar nga kryeministri Pedro Sánchez, parashikohet të marrë 28,8% të votave dhe nga 119 deri në 124 mandate; në zgjedhjet e vitit 2023 socialsitët siguruan 121 vende. Formacioni i majtë Frente Amplio parashikohet të sigurojë nga 10 deri në 11 mandate.
Zgjedhjet u shoqëruan me një pjesëmarrje të lartë elektorale: deri në orën 18:00 kishin votuar 68,1% e zgjedhësve, rreth 15 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023. Sondazhi i Sigma Dos për RTVE është realizuar përmes 19.500 intervistash telefonike, të zhvilluara nga 13 deri më 28 nëntor. Shifrat e publikuara përfaqësojnë projeksione zgjedhore dhe jo rezultate zyrtare.

