Partia Popullore (PP) dhe Vox, forca e ekstremit të djathtë në Spanjë, mund të arrijnë shumicën e ngushtë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura këtë të diel, më 29 nëntor.
Projeksionet fillestare të sondazhit të Sigma Dos për televizionin publik RTVE, të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit, sugjerojnë se rezultati mund t’i japë fund tetë viteve të qeverisjes së socialistëve, të drejtuar nga kryeministri Pedro Sánchez.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të RTVE-së, PP-ja, nën drejtimin e Alberto Núñez Feijóo, pritet të marrë 32,2% të votave dhe të fitojë 129 deri në 134 mandate. Me dy vendet e siguruara përmes koalicionit me Unionin e Popullit Navarrez (UPN), numri i përgjithshëm i deputetëve të saj do të arrinte në 131–136.
Vox, që drejtohet nga Santiago Abascal, parashikohet të fitojë 16,2% të votave, përkatësisht nga 44 deri në 48 mandate.
Nëse bashkohen, PP-ja dhe Vox mund të sigurojnë gjithsej 175–184 vende në Kongresin me 350 deputetë. Për të pasur shumicën absolute duhen 176 mandate.
PSOE-ja e kryeministrit Pedro Sánchez parashikohet të marrë 28,8% të votave dhe të fitojë nga 119 deri në 124 vende. Në zgjedhjet e vitit 2023, partia socialiste kishte marrë 121 mandate në Kongres.
Parashikimi i të njëjtit sondazh për formacionin e majtë Frente Amplio është nga 10 deri në 11 mandate.
Pjesëmarrja në votimet e kësaj të diele ka qenë rekord. Deri në orën 18:00, në votime kishin marrë pjesë 68,1% e zgjedhësve, rreth 15 pikë përqindjeje mbi nivelin e regjistruar në zgjedhjet e vitit 2023.
Sigma Dos e realizoi sondazhin për RTVE-në përmes 19.500 intervistave telefonike, të kryera nga 13 deri më 28 nëntor. Shifrat janë projeksione dhe nuk përbëjnë rezultate zyrtare.





