Studentët kanë dalë në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore protestues të plagosur gjatë tubimit të 28 dhe 29 Nëntorit.
Ata kanë kërkuar hetim për dhunën policore dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te efektivët që kanë përdorur forcën drejtpërdrejt.
Në deklaratën e tij, studenti që foli për mediat u shpreh se në Spitalin e Traumës ndodhen gazetarë, protestues dhe qytetarë të shumtë, ndërsa ndaj demonstruesve janë përdorur gaz lotsjellës, dronë me gaz dhe plumba gome.
“Janë mjete që janë përdorur ndaj protestuesve. Kërkojmë që të merren masa për dhunën policore dhe të nisë një hetim. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, deklaroi studenti.
“Nuk mund të themi se dhunën e ushtron vetëm një efektiv. Duhet të ketë përgjegjësi penale edhe për efektivët që japin urdhra”, u shpreh ai.
Studenti kërkoi gjithashtu që ministri i Brendshëm të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale për situatën, ndërsa i bëri thirrje Avokatit të Popullit të bëjë publike rastet e dhunës. Ai kërkoi edhe reagimin e ambasadave lidhur me ngjarjet.
Studenti paralajmëroi se protesta do të vijojë, duke theksuar se ngjarjet e 28 Nëntorit nuk do të harrohen.
“Do ta vazhdojmë protestën dhe gjaku i derdhur nga ne më 28 Nëntor nuk do të harrohet. E vërteta nuk do të mbetet pa zë. Dhuna nuk mund të relativizohet”, përfundoi ai.
