Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar i janë drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kryetarëve të grupeve parlamentare dhe anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke kërkuar një reformë që të rikthejë besimin e qytetarëve te vota dhe institucionet demokratike.
Në letrën e datës 26 nëntor 2026, pedagogët dhe përfaqësuesit e universiteteve nënvizojnë se cilësia e demokracisë në vend përcakton edhe cilësinë e demokracisë brenda institucioneve. Sipas tyre, universitetet zgjedhin me votë organet drejtuese dhe besimi te ky proces duhet të jetë në nivel kombëtar, duke u shtrirë edhe në zgjedhjen e institucioneve të tjera.
Ata theksojnë se prej muajsh studentë, pedagogë dhe qytetarë protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera, ndërsa kërkesat e tyre nuk duhen parë si pjesë e një konflikti politik, por si shqetësime të një shoqërie që kërkon institucione të përgjegjshme dhe llogaridhënie për zyrtarët e lartë.
Në dokument përmenden edhe ligjet nr. 5/2026 dhe nr. 6/2026, si dhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, të cilat, sipas firmëtarëve, kufizojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes. Ata kërkojnë që këto akte të shqyrtohen në raport me standardet kushtetuese, duke theksuar se një demokraci e shëndetshme duhet të mbrojë edhe zërin e qytetarëve kur ai është kritik.
Shtatë parimet që kërkojnë të përfshihen në reformën zgjedhore
Në letrën drejtuar politikës, SPUSH dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar propozojnë shtatë parime, të cilat sipas tyre duhet të shërbejnë si bazë për reformën zgjedhore.
Së pari, kërkojnë që çdo deputet të marrë mandatin nga vota e zgjedhësve dhe jo nga renditja që vendos kryetari i partisë. Për këtë arsye, propozojnë lista të kandidatëve plotësisht të hapura dhe ndarjen e mandateve në mënyrë proporcionale në nivel kombëtar, me prag kombëtar jo më të lartë se 3%.
Një tjetër kërkesë lidhet me përfaqësimin politik të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Sipas propozimit, ata duhet të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, përmes një njësie zgjedhore të përcaktuar posaçërisht dhe me të drejtën e votës.
Pedagogët kërkojnë gjithashtu që qytetarët të kenë mundësi të konkurrojnë në zgjedhje edhe pa ndërmjetësimin e partive politike. Iniciativat qytetare duhet të regjistrohen si subjekte zgjedhore dhe të kenë të njëjtat të drejta si partitë, përfshirë financimin publik, kohën në media dhe përfaqësimin gjatë zgjedhjeve.
Sa i përket pushtetit vendor, propozimi është që kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e njësive administrative të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, me dy raunde votimi dhe për jo më shumë se dy mandate. Edhe këshillat bashkiakë, sipas tyre, duhet të zgjidhen me lista plotësisht të hapura.
Një tjetër pikë e rëndësishme është administrimi i zgjedhjeve nga institucione të paanshme dhe jopartiake, të drejtuara nga profesionistë me integritet të provuar. SPUSH kërkon që fshehtësia e votës të garantohet edhe gjatë numërimit, në mënyrë që vota e askujt të mos mund të identifikohet apo të bëhet objekt presioni.
Në dokument kërkohet gjithashtu që pushteti të mos përqendrohet në duart e një pale të vetme dhe të mos ushtrohet pa kufizim kohor. Konkretisht, propozohet që kryeministri të mos qëndrojë në detyrë për më shumë se dy mandate.
Pedagogët kërkojnë që Presidenti i Republikës të zgjidhet nga Kuvendi përmes një procesi me konsensus të gjerë, jo më shumë se tre raunde votimi, duke mos lejuar që zgjedhja e tij të bëhet vetëm me votat e shumicës qeverisëse.
Në përfundim të letrës, përfaqësuesit e universiteteve shprehen të gatshëm të marrin pjesë në diskutimet e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe të kontribuojnë me ekspertizën e anëtarëve të tyre.
Sipas tyre, këto shtatë parime përfaqësojnë një hap të parë për rikthimin e besimit në demokraci dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.
