Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një tjetër raportim protestave antiqeveritare në Shqipëri.
Sipas Reuters, mijëra qytetarë dolën në rrugët e kryeqytetit të dielën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës, autobotë me ujë dhe plumba gome.
Në raportim theksohet se protestat janë nxitur nga zemërimi për korrupsionin e perceptuar në qeverisje, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në arsim.
Artikulli:
Dhuna shpërthen në Shqipëri në ditën e dytë të protestave kundër qeverisë
Mijëra shqiptarë dolën në rrugët e kryeqytetit, Tiranë, të dielën, duke hedhur gurë dhe fishekzjarrë, ndërsa kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome, në përpjekje për të shpërndarë protestën e dytë radhazi, të udhëhequr nga studentët kundër qeverisë.
Të nxitura nga zemërimi për korrupsionin e perceptuar në qeverisje, mungesën e vendeve të punës dhe standardet e dobëta të arsimit, protestat kanë tronditur Tiranën që nga mesi i tetorit dhe janë përhapur edhe në qytete të tjera.
Demonstratat janë shoqëruar shpesh me dhunë, ku protestuesit kanë djegur ndërtesa qeveritare dhe banka, kanë thyer vitrina dyqanesh dhe kanë shkulur pllaka trotuari për t’i hedhur në drejtim të policisë.
Pas një periudhe të shkurtër qetësie, tensionet u rritën sërish të shtunën. Disa protestues të maskuar qëlluan me gurë drejt një godine qeveritare dhe tentuan të mbërrinin te zyra e Ramës, por u zmbrapsën nga policia.
Autoritetet shëndetësore thanë se 12 persona të tjerë u plagosën të dielën, pas më shumë se 60 të lënduarve të shtunën, shumë prej të cilëve nga plumbat e gomës.
Qeveria e Ramës mohon akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog lidhur me kërkesat e protestuesve.
Qeveria është përgjigjur gjithashtu duke prezantuar masa të tilla si ulja e çmimit të karburantit dhe rritja e ndihmës financiare për familjet në nevojë.












