BE-ja kërkon arrestimin e Radoiçiqit, ekspertët dyshojnë për qëllimet e Serbisë
Më shumë se tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e tij, ende nuk është vënë para drejtësisë. Bashkimi Evropian vazhdon t'i kërkojë Serbisë arrestimin dhe ndjekjen penale të tij, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë në Beograd për caktimin e paraburgimit dhe lëshimin e fletarrestimit ka ngritur dyshime te ekspertët e sigurisë në Kosovë.
Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të japin llogari para drejtësisë, duke shprehur keqardhje që autoritetet serbe ende nuk kanë ndërmarrë hapa për arrestimin dhe ndjekjen penale të tyre.
Përgjigjja e Bashkimit Evropian: “BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin e vitit 2023 në Banjskë të dalin para drejtësisë, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin. Shprehim keqardhje që deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale, me akuzat përkatëse, të personave që ndodhen në territorin e saj”.
BE-ja ka kërkuar gjithashtu nga autoritetet serbe bashkëpunim të plotë përmes kanaleve të vendosura për ndihmë të ndërsjellë juridike dhe trajtimin e kësaj çështjeje pa vonesa të mëtejshme.
Ndërkohë, zhvillim i ri në këtë rast është vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd për caktimin e paraburgimit dhe lëshimin e fletarrestimit ndaj Radoiçiqit. Ky vendim erdhi pasi ai nuk u paraqit në stacionin policor më 15 nëntor, ashtu siç e kishte obligim sipas masës së mëparshme të sigurisë.
Radoiçiqi ishte i obliguar të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15. Kjo masë ishte vendosur në tetor të vitit 2023, kur ai ishte marrë në pyetje për rastin e Banjskës.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë në Kosovë e shohin me rezervë vendimin e fundit të autoriteteve serbe. Gurakuq Kuçi nga organizata OCTOPUS ngre dyshime se lëshimi i fletarrestimit mund të jetë një mënyrë për t'iu shmangur presionit ndërkombëtar, pa e vënë realisht Radoiçiqin para drejtësisë.
“Serbia ka lëshuar një urdhër për Radoiçiqin, ka lëshuar edhe për të tjerët kriminelë, sikur ata të cilët kanë qenë të përfshirë edhe në rastin e Kosovës. Ka fjalë që kanë shkuar në Moskë. Mbi të gjitha, vetë hapësira që ia jep nga dhënia e urdhrit të gjykatës, atëherë është sikur një lloj marrëveshjeje e fshehur e grupeve të tyre që të lejohet të ikin ata dhe po ashtu të mos ndihet Serbia më në presionin për kërkesën për arrestimin dhe vënien para drejtësisë të tyre. Pra, mund të jetë një bashkëpunim i thellë. Serbia ka bërë edhe në të kaluarën veprime të tilla, duke i shpërlarë duart pa i vënë kriminelët para drejtësisë”, ka deklaruar Kuçi.
Edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, vë në pikëpyetje pretendimin se autoritetet serbe nuk e dinë vendndodhjen e Radoiçiqit.
“Duke pasur parasysh se sa shërbime sekrete i ka Serbia, shtrohet pyetja logjike: si ka mundësi të mos njihet një njeri për aq shumë krime të bëra në Serbi, një i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit dhe një njeri i kërkuar në mënyrë ndërkombëtare nga INTERPOL-i? Unë nuk e besoj që ata nuk e dinë se ku ndodhet ose ku është vendndodhja e këtij kryekrimineli që te ne e ka shkaktuar Banjskën, e ka pranuar atë krim që e ka shkaktuar, e ka vrarë rreshterin. Si ka mundësi të mos dihet vendndodhja e tij?”, ka thënë Dashevci.
Ndërkohë, në mediat serbe janë publikuar raportime se Milan Radoiçiq mund të jetë larguar drejt Rusisë, por këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht./RTK





























