Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Perondi, në bashkinë Kuçovë, ku një 55-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet teksa lëvizte me biçikletë.
Viktima, Andrea Buçka, po udhëtonte me biçikletë në rrugën e fshatit kur është përplasur nga një makinë, e drejtuar nga një 20-vjeçar. Si pasojë e përplasjes, 55-vjeçari ka marrë plagë të shumta dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ai ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit.
Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:45. Drejtuesi i automjetit, shtetasi Sh. D., 20 vjeç, është shoqëruar në polici.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht, dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e automjetit.