Partia Socialiste e kryeministrit në detyrë të Spanjës, Pedro Sánchez, pritet të pësojë humbje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas sondazheve të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit në Spanjën kontinentale.
Sondazhi i transmetuesit shtetëror spanjoll RTVE parashikon fitoren e Partisë Popullore konservatore, të drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, me 131 deri në 136 vende në Kongresin e Deputetëve.
Socialistët e Pedro Sánchez renditen të dytët, me një parashikim prej 119 deri në 124 mandatesh, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Vox pritet të sigurojë 44 deri në 48 vende.
Për të siguruar shumicën parlamentare në Kongresin me 350 vende nevojiten 176 mandate. Kështu, Partia Popullore mund të ketë nevojë për një marrëveshje me Vox-in për të formuar qeverinë e ardhshme.
Zgjedhjet e parakohshme konsiderohen një test i rëndësishëm për Sánchez-in, pas tetë vitesh të socialistëve në pushtet dhe në një periudhë të shoqëruar nga debate për korrupsionin, emigracionin, koston e jetesës dhe krizën e strehimit.
Kryeministri në detyrë kishte thirrur zgjedhjet pasi qeveria e tij u përball me vështirësi për të ndryshuar ligjet e strehimit. Dëbimi i një gruaje 87-vjeçare nga banesa ku jetonte në Madrid shkaktoi protesta në disa qytete të vendit.
Mbi 38.6 milionë qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 350 anëtarët e Kongresit të Deputetëve dhe 209 senatorë.
Ndërkohë, në Ishujt Kanarie votimi vijonte ende, ndërsa rezultatet paraprake priteshin të publikoheshin në orën 21:00. Sondazhet e publikuara janë projeksione pas votimit dhe jo rezultate përfundimtare.r.b





