Një ngjarje e rëndë dhune në familje është regjistruar mbrëmjen e sotme në Divjakë, ku një 45-vjeçar dyshohet se ka goditur disa herë me mjet prerës bashkëshorten e tij, 39 vjeçe.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, pas një konflikti në banesë. Sipas informacionit paraprak të policisë, Leonard Vrapi, 45 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me mjet prerës bashkëshorten e tij, Manjola Vrapi, 39 vjeçe.
E plagosura është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar.
Sipas burimeve paraprake, 45-vjeçari dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.
Ai dyshohet se kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli dhe prej kohësh shfaqte xhelozi ndaj bashkëshortes, duke e akuzuar për tradhti. Këto dyshime mendohet se kanë qenë ndër shkaqet e konflikteve të vazhdueshme mes çiftit.
Policia ka shoqëruar menjëherë 45-vjeçarin në Komisariatin e Divjakës, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Divjakë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në Divjakë, shtetasi L. V., 45 vjeç, dyshohet se, pas një konflikti me bashkëshorten e tij, shtetasen M. V., 39 vjeçe, e ka goditur këtë të fundit me mjet prerës.
39-vjeçarja është transportuar për ndihmë mjekësore të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar menjëherë 45-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Divjakë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
