Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi vendet europiane se po pengojnë përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë duke refuzuar negociatat dypalëshe me Rusinë dhe duke kërkuar përfshirjen e trupave europiane në një marrëveshje të mundshme. Në një intervistë për televizionin shtetëror në Bjellorusi, aleate e Moskës, Peskov tha se deklaratat e vendeve europiane nuk po ndihmojnë procesin e negociatave, i cili aktualisht drejtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe përfshin përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës, raporton Reuters.
Ai kundërshtoi veçanërisht propozimin për vendosjen e një kontingjenti ushtarak europian në Ukrainë si pjesë të një marrëveshjeje paqeje dhe u shpreh se “Pikërisht kjo është arsyeja pse nisi operacioni special ushtarak”, duke përdorur terminologjinë e Kremlinit për pushtimin rus të vitit 2022. Peskov tha se europianët kërkojnë të përfshihen në negociata, por njëkohësisht mbështesin masa që, sipas Moskës, do të çonin në vazhdimin e luftës.
Ai shtoi se Moska kishte marrë vetëm të dielën njoftimin se vendet europiane nuk dëshironin të zhvillonin bisedime dypalëshe me Rusinë, por kërkonin një format trepalësh. Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e vendosjes së forcave europiane në territorin ukrainas si pjesë e një marrëveshjeje.
Pas raundit të fundit të bisedimeve trepalëshe, të zhvilluar në fillim të këtij muaji dhe i pari që prej shkurtit, negociatori amerikan Steve Witkoff deklaroi se Rusia kishte rënë dakord që përfaqësuesit europianë të merrnin pjesë në takimet e ardhshme. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mirëpriti përfshirjen e Europës, ndërsa Moska deklaroi se pjesëmarrja e saj do të varej nga propozimet që do të sillnin vendet europiane në tryezën e negociatave.
