Partia Popullore konservatore (PP), e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, ka fituar numrin më të madh të vendeve në parlament në zgjedhjet e parakohshme në Spanjë, duke rrëzuar një nga qeveritë e fundit të orientuara nga e majta në Evropë.
Kryeministri Pedro Sánchez ka telefonuar Feijóo-n për ta uruar për fitoren, ndërsa Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE), e cila ka qeverisur që prej vitit 2018 përmes koalicioneve të brishta minoritare, pësoi humbje.
Sipas rezultateve, PP-ja nuk mund të sigurojë e vetme shumicën parlamentare dhe do të ketë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox, të drejtuar nga Santiago Abascal, për të formuar një shumicë qeverisëse, pëtcjell Reuters.
Sánchez kishte thirrur zgjedhje të parakohshme pasi parlamenti rrëzoi dekretet e propozuara prej tij për të përballuar krizën në rritje të strehimit, një prej çështjeve kryesore që ka dominuar debatin politik në vend.
Duke iu drejtuar mbështetësve në selinë e PSOE-së në Madrid, Sánchez tha se rezultati nuk ishte ai që dëshironin, por theksoi se lufta për drejtësi sociale do të vazhdojë.
“Është e qartë se kjo është një natë e trishtuar për vendin tonë. Por do të doja të riktheja edhe shpresën, sepse lufta që bëjmë për drejtësi sociale nuk përfundon kurrë”, u shpreh Sánchez.
Ai pranoi rezultatin e zgjedhjeve, duke shtuar se “ky rezultat nuk është ai që dëshironim për partinë tonë dhe, veçanërisht, për vendin tonë”.
Partia Popullore (PP), e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, ka dalë forcë e parë në zgjedhje, por për të siguruar shumicën parlamentare do të ketë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox, të drejtuar nga Santiago Abascal.