Deklarata e studentëve nga Trauma: Dhuna ka ndryshuar gjithçka, nuk do t’ju shohim më njësoj!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.11.2026, 23:39

Studentët kanë dalë mbrëmjen e sotme në një deklaratë për mediat nga ambientet e Spitalit të Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore protestues të plagosur gjatë përplasjeve të dy ditëve të fundit. Të shoqëruar nga fotografi të qytetarëve dhe studentëve të lënduar gjatë protestës, ata kanë përcjellë një mesazh të fortë për përfaqësuesit e shtetit shqiptar.

“Përfaqësuesit e shtetit shqiptar duhet ta kuptojnë se dhuna e ushtruar ndaj studentëve dhe qytetarëve protestues ka ndryshuar gjithçka, përgjithmonë. Nga ky moment nuk do t'ju shohim më njësoj”, u shpreh një prej studentëve.

Ai theksoi se protesta nuk i shërben asnjë partie politike, por vetëm qytetarëve, duke shtuar se heshtja përballë asaj që ka ndodhur do të thotë bashkëfajësi. “Një popull që kërkon liri, nuk mund të nënshtrohet me dhunë”, ishte një tjetër prej mesazheve të deklaratës.

Studentët kërkuan gjithashtu hetim të plotë për dhunën e ushtruar gjatë protestave të 28 dhe 29 Nëntorit, duke theksuar se përgjegjësia penale duhet të përfshijë jo vetëm efektivët që kanë përdorur forcën, por edhe ata që kanë dhënë urdhrat. Ata kërkuan përgjegjësi politike dhe institucionale nga ministri i Brendshëm, si dhe reagimin e Avokatit të Popullit dhe ambasadave.

Në përfundim, studentët paralajmëruan se protesta do të vijojë dhe se ajo që ndodhi më 28 Nëntor nuk do të harrohet: “Gjaku i derdhur nga ne nuk do të harrohet. E vërteta nuk do të mbetet pa zë. Dhuna nuk mund të relativizohet.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit