
Një përplasje verbale është shënuar jashtë ambienteve të Kuvendit mes aktivistes Arvina Lleshi dhe deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi. Lleshi ka publikuar në rrjetet sociale një video nga momenti i përballjes me deputeten, së cilës i është drejtuar duke kënduar një refren të përdorur nga protestuesit: “Zegjine, Zegjine, 3 milionë jemi ne! Ti nuk di të numërosh, shko në shkollë që të mësosh!”.
Pas kësaj, mes dy grave ka nisur një debat i tensionuar. Deputetja Çaushi e ka akuzuar aktivisten se po ul figurën e një gruaje, ndërsa Lleshi i është përgjigjur duke e kritikuar për qëndrimet e saj politike. “Je femër dhe po ul figurën e një femre. Turp të të vijë!”, i është drejtuar Çaushi aktivistes. “Turp të të vijë ty që je bashkuar me një qeveri kriminale. Turp të të vijë ty që nuk përfaqëson interesat e popullit”, ka deklaruar Lleshi.
Në vijim, deputetja e ka pyetur aktivisten se kë përfaqëson, ndërsa Lleshi është përgjigjur: “Unë përfaqësoj vetëm veten time”. Debati është përshkallëzuar edhe më tej, teksa Çaushi e ka pyetur nëse aktivistja paguhet për aktivitetin e saj. Lleshi e ka mohuar një gjë të tillë. Përplasja ka vijuar me akuza të ndërsjella, ndërsa në fund Lleshi i është drejtuar deputetes me fjalët: “Figurën e femrës e keni ulur ju që jeni përfaqësimi më i keq i një populli. Turp t’ju vijë!”. Videoja e publikuar në rrjetet sociale ka sjellë reagime dhe diskutime lidhur me përballjen mes aktivistes dhe deputetes jashtë ambienteve të Kuvendit.
