Butrinti mposht Albpetrolin 3-1, Mario Mërkuri protagonist me dy gola. Delvina humbet në shtëpi

Butrinti mposht Albpetrolin 3-1, Mario Mërkuri protagonist me dy gola. Delvina humbet në shtëpi

Butrinti ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në kampionat, duke mposhtur Albpetrolin me rezultatin 3-1 në stadiumin “Andon Lapa” në Sarandë. Takimi, i vlefshëm për javën e katërt të Kategorisë së Dytë, Grupi B, u transmetua drejtpërdrejt nga Saranda Web.

Skuadra sarandiote arriti të siguronte një tjetër fitore të rëndësishme, duke konfirmuar nisjen pozitive të sezonit dhe duke u ngjitur në kuotën e 9 pikëve, vetëm tri pikë larg kryesuesve të Bylis B. Takimi nisi me tensione dhe ndërhyrje të ashpra, ndërsa në minutën e 24-t Albpetroli mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Qarrit. Në minutën e 32-të edhe Butrinti mbeti me dhjetë futbollistë, pas kartonit të kuq ndaj portierit.

Pavarësisht barazisë numerike, Butrinti arriti të marrë kontrollin e rezultatit. Në minutën e 36-të, Nanjul kaloi sarandiotët në avantazh, ndërsa Mario Mërkuri dyfishoi shifrat në minutën e 44-t, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-0. Vetëm gjashtë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Mario Mërkuri realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Butrintin, duke e çuar rezultatin në 3-0.

Albpetroli arriti të ngushtonte diferencën në minutën e 72-të me golin e Hyskës, por pa mundur të ndryshonte fatin e takimit, i cili përfundoi 3-1.

Ndeshja u transmetua LIVE nga Saranda Web, duke u dhënë mundësi tifozëve sarandiotë, përfshirë ata që jetojnë jashtë vendit, të ndiqnin drejtpërdrejt fitoren e skuadrës së tyre.

Delvina mposhtet 1-2 nga Bylis B

Ndërkohë, në stadiumin “Delvina”, skuadra vendase pësoi humbje 1-2 përballë Bylis B, ekipit që kryeson renditjen e grupit. Miqtë kaluan në avantazh në minutën e 21-të me Belloin, ndërsa Usman dyfishoi rezultatin në minutën e 33-të. Delvina arriti të shënonte në minutat shtesë me Fakajn, por goli nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Pas kësaj jave, Bylis B kryeson renditjen me 12 pikë në katër ndeshje, ndërsa Butrinti renditet i dyti me 9 pikë në tri takime të zhvilluara. Delvina mbetet në vendin e shtatë me 3 pikë pas tri ndeshjesh. Fitorja e sotme e Butrintit mban skuadrën sarandiote mes pretendenteve kryesore të grupit, ndërsa për Delvinën mbetet objektiv rikthimi te rezultatet pozitive në javët e ardhshme.

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Luftëtari mposht Butrintin në Sarandë, Delvina merr një pikë ndaj Albpetrolit
Lexoni më shumë
Organizatat kundër torturës dënojnë “brutalitetin policor” në protesta
Lexoni më shumë
Butrinti dhe Luftëtari në përballje për kreun, Delvina kërkon fitoren ndaj Albpetrolit
Lexoni më shumë
Tre ditë me reshje dhe stuhi në Sarandë, Delvinë e Konispol. Orët kur priten reshjet më të shumta
Lexoni më shumë
Aksident i rëndë, përplasen 3 automjete. Pesë të plagosur transportohen në spital
Lexoni më shumë
Çdo apartament në Airbnb dhe Booking duhet të regjistrohet në e-Albania, gjoba nëse nuk zbatohet
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.