Dy të rinj nga Saranda shpëtojnë nga flakët drejtuesin e një automjeti në rrugën Kardhiq–Sarandë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Kardhiq–Sarandë, në vendin e quajtur “Skërficë”, ku një automjet është përfshirë nga flakët gjatë lëvizjes, duke i shkaktuar djegie të rënda drejtuesit të tij.
Automjeti tip “Volkswagen Touran” drejtohej nga Maridon Dhuli, 37 vjeç, banues në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë. Për rrethana ende të paqarta, mjeti ka marrë zjarr, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe drejtuesin.
Në ato momente kanë ndërhyrë kalimtarë të rastit, mes tyre edhe Sokol Ahmetaj nga Saranda, i cili po kthehej nga Tirana. Duke parë 37-vjeçarin të përfshirë nga flakët, Ahmetaj ka vepruar menjëherë, duke përdorur xhupin e tij për të shuar zjarrin në trupin e të dëmtuarit.
Ndërhyrja e qytetarit nga Saranda ka qenë vendimtare për t’i ardhur në ndihmë të plagosurit në momentet e para të ngjarjes. Ai ka njoftuar gjithashtu shërbimet e urgjencës dhe Policinë Rrugore.
I dëmtuari është transportuar fillimisht në urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të djegieve të shkallës së tretë, mjekët kanë vendosur transferimin e tij me ambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe forcat zjarrfikëse për shuarjen e flakëve që kishin përfshirë automjetin.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa gjendja shëndetësore e 37-vjeçarit mbetet shqetësuese për shkak të djegieve të rënda.