Rasti që tronditi Pejën, zhvillimet pas vrasjes së Arlinda Zekajt - kërkohet llogari nga institucionet

- 26/10/2026 19:20- Kurti kërkon hetim të menjëhershëm për vrasjen e Arlinda Zekajt, propozon dy masa konkrete
- 26/10/2026 18:08- Gërvalla kërkon verifikimin e përgjegjësive institucionale pas vrasjes së Arlindës
- 26/10/2026 17:50- Osmani kërkon shkarkim dhe përgjegjësi penale për zinxhirin komandues
- 26/10/2026 17:23- Hoxha: Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë
- 26/10/2026 17:05- Nagavci kërkon përgjigje se çfarë veprimesh kishte ndërmarrë prokuroria
- 26/10/2026 16:55- Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë, Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme – deputetët nderojnë viktimat me një minutë heshtje
- 26/10/2026 14:52- Pas vrasjes së Arlindës, Prokuroria insiston se ka vepruar sipas ligjit: Nuk kemi asgjë për të fshehur
- 26/10/2026 14:15- UNMIK-u dënon vrasjen e Arlinda Zekajt, kërkon hetim të plotë
- 26/10/2026 14:10-Gjykata e Pejës thotë se sot ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt për kanosje
- 26/10/2026 14:07- Nëna e Liridona Ademajt ngushëllon familjen e Arlinda Zekajt: Mu copëtua zemra prapë
- 26/10/2026 14:06- “Shteti e vrau Arlindën”, QIKA me aksion simbolik para Qeverisë
- 26/10/2026 12:47- Aleanca kërkon shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për vrasjen e Arlinda Zekajt
- 26/10/2026 12:24- LVV-ja propozon komision hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt
- 26/10/2026 12:23- Shpallet në kërkim Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt
- 26/10/2026 11:50- "Aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit" - Prokuroria reagon sërish për rastin e Arlinda Zekajt, tregon çfarë ndodhi para vrasjes
- 26/10/2026 11:48- Thirret protestë për të mërkurën në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt
- 26/10/2026 11:31- Vrasja në Vitomiricë të Pejës, Kuçi publikon një tjetër letër të Arlinda Zekajt
- 26/10/2026 11:29- Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme sot për vrasjen e Arlinda Zekajt
- 26/10/2026 10:43- IKD kërkon hetim të plotë për vrasjen në Vitomiricë dhe përgjegjësi për institucionet
- 26/10/2026 10:43- Vrasja e Arlinda Zekajt, në Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve kërkohet drejtësi
- 26/10/2026 10:32- Vrasja e Arlinda Zekajt, Muhaxheri kërkon verifikim të plotë të veprimeve institucionale
- 26/10/2026 10:31- Kryeprokurori kërkon raport për rastet e Arlinda Zekajt, paralajmëron masa nëse konstatohen shkelje
- 26/10/2026 10:31- Presidentja reagon pas vrasjes në Vitomiricë, kërkon përgjegjësi institucionale
- 26/10/2026 10:30- Gjini kërkon arrestime e dorëheqje pas vrasjes së Arlindës: Ndryshe, institucionet janë spektatore të krimit
- 26/10/2026 10:29- Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë
- 26/10/2026 10:28- Avokatja e Arlindës kishte dorëzuar ankesë disiplinore ndaj prokurores, thotë se shteti e vrau
- 26/10/2026 10:27- Abdixhiku për vrasjen e Arlinda Zekajt: I detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë, tani i detyrohemi drejtësi
- 26/10/2026 10:26- Reagime të ashpra pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Kush do të japë llogari?
- 26/10/2026 10:25- "Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan", fjalët tronditëse që la vetë Arlinda Zekaj tri ditë para se të vritej
- 26/10/2026 10:24- E vrau me mjet të fortë kunatën në Vitomiricë të Pejës, i dyshuari ende në arrati
- 26/10/2026 10:22- Arlinda Zekaj kërkoi llogaridhënie tri ditë para vrasjes, Prokuroria konfirmon se nisi shqyrtimin e parashtresës
- 26/10/2026 10:21- “Mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”, letra rrëqethëse e Arlinda Zekajt, tri ditë para vrasjes
- 26/10/2026 10:17- Vritet një grua në Vitomiricë të Pejës, policia: Autori dyshohet të jetë kunati i saj
Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor 2026, ka nxitur reagime të shumta dhe ka vënë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Rasti ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si janë trajtuar raportimet e saj dhe nëse janë ndërmarrë masat e nevojshme për ta mbrojtur.
Sipas informacioneve të bëra publike, Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë nga institucionet, ndërsa më 22 tetor i kishte drejtuar një shkresë Prokurorisë në Pejë, ku kishte shprehur shqetësimin se mund të përfundonte duke humbur jetën pa u mbajtur askush përgjegjës.
Më 25 tetor, ajo u vra në Vitomiricë, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte raportuar dhunën në familje.
Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për trajtimin e rasteve të raportuara nga Zekaj, ka autorizuar analizimin e veprimeve të Prokurorisë dhe i ka kërkuar Inspektoratit Policor të Kosovës të verifikojë mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e saj.
Në këtë livefeed, mund të gjeni të gjitha reagimet institucionale dhe ecurinë e hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt.
26/10/2026 19:20- Kurti kërkon hetim të menjëhershëm për vrasjen e Arlinda Zekajt, propozon dy masa konkrete

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hetim të plotë dhe të menjëhershëm për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se viktima kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej.
Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti ka deklaruar se Arlinda Zekaj nuk e mori mbrojtjen e nevojshme për ta shpëtuar jetën.
26/10/2026 18:08- Gërvalla kërkon verifikimin e përgjegjësive institucionale pas vrasjes së Arlindës

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se pas vrasjes së Arlinda Zekajt nuk ka dalë nga takimi ndërinstitucional me bindjen se institucionet përgjegjëse e kanë kryer plotësisht detyrën e tyre për mbrojtjen e saj.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Gërvalla ka bërë të ditur se menjëherë pas rastit ka kërkuar informacion zyrtar nga Policia e Kosovës, për të sqaruar rrethanat dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet, përfshirë trajtimin e raportimeve të mëparshme.
26/10/2026 17:50- Osmani kërkon shkarkim dhe përgjegjësi penale për zinxhirin komandues

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar sot ashpër dënimet që shqiptohen për rastet e dhunës ndaj grave.
Ajo gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet pas vrasjes së Arlinda Zekajt, tha se dënimet aktuale janë tepër të lehta dhe, sipas saj, në shumë raste as nuk shqiptohen në përputhje me dispozitat ligjore.
26/10/2026 17:23- Hoxha: Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kërkuar sot hetim, transparencë dhe përgjegjësi për mosveprim institucional në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke përkujtuar se ajo kishte kërkuar ndihmë paraprakisht dhe i kishte besuar shtetit për mbrojtje, por ai nuk arriti ta mbronte.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, deputetja Hoxha tha se Arlinda Zekaj kishte raportuar në Prokurorinë Themelore në Pejë mbi rrezikun që i kanosej.
“Një shtet që nuk arriti të mbroj një grua që kërkoi ndihmë. Arlinda Zekaj para se t’i mbyllte sytë përgjithmonë, i kishte shkruar Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte treguar për frikën e saj, për dhunën dhe rrezikun që i kanosej. Ajo kishte thënë se shpresa e saj e fundit për mbrojtje ishte shteti. A mund ta imagjinoni se çka mund të thotë kjo, të jetosh me frikë, të kërkosh ndihmë, të mbledhësh guximin për t’ju drejtuar shtetit, t’i besosh shtetit se më në fund dikush mund ta mbrojë dhe në fund të mos jesh më gjallë. Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë atë”, tha Hoxha.
Deputetja e PDK-së theksoi se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por alarm shtetëror. Sipas saj, ligjet dhe urdhrat e mbrojtjes nuk i shpëtojnë gratë nëse nuk zbatohen, ndërsa reagimi ndaj rasteve të tilla nuk duhet të kufizohet në ngushëllime dhe dënim të krimit.
“Ajo grua nuk është më, një familje është shkatërruar dhe ne kemi dhe një emër tjetër kur thirrje për ndihmë nuk dëgjohen me kohë, kur shteti nuk vepron, kur neglizhenca institucionale shndërrohet në dhunë institucionale dhe merr jetë.. Edhe sa gra të tjera nuk duhet të jenë me ne, duhet të vriten që institucionet tona të kuptojnë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, është alarm shtetërorë. Ne kemi ligje, u fol për to, kemi urdhra mbrojtjes, por ligjet që nuk zbatohen, duket se nuk i shpëtojnë gratë. Prandaj, sot nuk mjaftojnë as ngushëllimet, dënimi i krimit, as fjalimet tona këtu nuk mjaftojnë. Duhet të ketë hetim, transparencë, përgjegjësi për çdo neglizhencë dhe mosveprim institucional”, tha Hoxha.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj. Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
26/10/2026 17:05- Nagavci kërkon përgjigje se çfarë veprimesh kishte ndërmarrë prokuroria

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ajo ka ngritur pyetje për veprimet e institucioneve pas kërkesës së Zekajt për ndihmë dhe paralajmërimeve të saj për rrezikun ndaj jetës.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për këtë rast, Nagavci tha se Zekaj i ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar veprime të menjëhershme.
26/10/2026 16:55- Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë, Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme – deputetët nderojnë viktimat me një minutë heshtje

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila ndodhi mbrëmjen e së dielës në Pejë.
Në fillim të seancës, deputetët e Kuvendit mbajtën një minutë heshtjeje në nderim të Zekajt dhe të të gjitha viktimave të dhunës.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur për të diskutuar rastin tragjik, përgjegjësinë institucionale dhe funksionimin e mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e qytetarëve nga dhuna.
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë reagimi i institucioneve përgjegjëse, si dhe nevoja për ndërmarrjen e masave konkrete që synojnë parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Debati parlamentar synon gjithashtu të trajtojë përgjegjësinë dhe koordinimin ndërinstitucional në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave.
26/10/2026 14:52- Pas vrasjes së Arlindës, Prokuroria insiston se ka vepruar sipas ligjit: Nuk kemi asgjë për të fshehur

Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë sot detaje lidhur me vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë.
Në një konferencë për media, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka shpalosur veprimet e kësaj prokurorie lidhur me vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë.
Ai ka thënë se si prokurori kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë neglizhencë në trajtimin e rastit dhe se pas ankesës së viktimës për kanosje, prokuroria se më 23 tetor ka ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, për “kanosje” në kuadër të marrëdhënies familjare.
26/10/2026 14:15- UNMIK-u dënon vrasjen e Arlinda Zekajt, kërkon hetim të plotë

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka dënuar ashpër vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi përmes sundimit të ligjit.
Në një reagim të publikuar më 26 tetor, Due u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimës.
“Kjo vrasje brutale, e dyta e një gruaje në Kosovë brenda pak më shumë se dy javësh dhe e teta këtë vit, nënvizon pasojat shkatërruese të dhunës me bazë gjinore dhe nevojën urgjente që çdo kërkesë për ndihmë të merret seriozisht. Dhuna ndaj grave nuk duhet të tolerohet kurrë”, ka deklaruar Due.
Ai ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe për llogaridhënie, në përputhje me sundimin e ligjit.
26/10/2026 14:10-Gjykata e Pejës thotë se sot ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt për kanosje

Gjykata Themelore në Pejë njofton se sot (26 tetor) ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, lidhur me veprën penale “Kanosja”.
“Në Gjykatën Themelore në Pejë, sot me datë 26.10.2026, në ora 8:56, nga Prokuroria Themelore e Pejës, përmes sistemit SMIL, është pranuar aktakuzë nën shenjën PP/II Nr.1340, aktakuzë e drejtpërdrejt ndaj personit me inicialet J.S, për shkak të veprës penale “Kanosje” nga neni 181 par.2 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për “Betimi për Drejtësi“.
26/10/2026 14:07- Nëna e Liridona Ademajt ngushëllon familjen e Arlinda Zekajt: Mu copëtua zemra prapë

Nëna e Liridona Ademajt, e cila u vra në nëntor të vitit 2023, ka shprehur ngushëllime për familjen e Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Përmes një mesazhi të publikuar nga vllau i Liridonës, Leonard Ademaj, ajo ka thënë se lajmi për vrasjen e Arlindës ia ka rihapur plagët e dhimbshme nga humbja e vajzës së saj.
Si nënë që ka përjetuar humbjen e vajzës nga një krim, ajo është shprehur se e kupton dhimbjen me të cilën po përballet familja e Arlinda Zekajt.
26/10/2026 14:06- “Shteti e vrau Arlindën”, QIKA me aksion simbolik para Qeverisë

Aktivistet e organizatës QIKA kanë zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, ku vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” dhe derdhën disa kova me ngjyrë të kuqe në shkallët e institucionit, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Gjatë aksionit, aktivistja Blenda Asllani deklaroi se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet shtetërore, kishte ndjekur procedurat ligjore dhe kishte siguruar urdhër mbrojtjeje, por pavarësisht kësaj, jeta e saj nuk u mbrojt.
26/10/2026 12:47- Aleanca kërkon shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës për vrasjen e Arlinda Zekajt

Aleanca ka kërkuar shkarkimin e zyrtarëve në të gjitha nivelet institucionale që kanë pasur përgjegjësi në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra dje në Vitomiricë të Pejës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, e ka cilësuar rastin jo vetëm si femicid, por edhe si dështim të shtetit dhe të hierarkisë institucionale, duke përmendur institucionet e sundimit të ligjit, Policinë dhe qendrat për punë sociale.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai tha se të gjithë ata që, përmes mosveprimit, kanë kontribuar në këtë situatë duhet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa kërkoi shkarkimin e personave përgjegjës në të gjitha nivelet.
26/10/2026 12:24- LVV-ja propozon komision hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të propozojë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, me synimin që të hetohet përgjegjësia e institucioneve përkatëse dhe të identifikohen personat që nuk kanë vepruar pas kërkesave të saj për siguri dhe drejtësi.
Shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se formimi i komisionit do të propozohet në seancën e sotme të jashtëzakonshme, që është thirrur në orën 16:00.
26/10/2026 12:23- Shpallet në kërkim Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjn e Arlinda Zekajt.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, kërkesa për publikimin e fotografisë së tij është bërë me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Albert Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan, është person i kërkuar nga organet e drejtësisë.
26/10/2026 11:50- "Aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit" - Prokuroria reagon sërish për rastin e Arlinda Zekajt, tregon çfarë ndodhi para vrasjes

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë, duke dhënë detaje për veprimet e ndërmarra pas kërkesës së saj për ndihmë dhe trajtimin e rasteve të mëparshme.
Në një njoftim të publikuar të hënën, Prokuroria ka bërë të ditur se Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, pas pranimit të një kërkese nga Zekaj më 22 tetor, e kishte adresuar çështjen te institucionet përkatëse dhe kishte iniciuar rast për hetimin e pretendimeve për veprime ose mosveprime të mundshme të zyrtarëve.
26/10/2026 11:48- Thirret protestë për të mërkurën në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet protestë me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Protesta organizohet pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ndërsa organizatorët kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.
26/10/2026 11:31- Vrasja në Vitomiricë të Pejës, Kuçi publikon një tjetër letër të Arlinda Zekajt

Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka publikuar një tjetër letër të së ndjerës Arlinda Zekaj, e cila mbeti e vrarë me një mjet të mprehtë në Vitomiricë të Pejës.
Për rastin, është raportuar se i dyshuari është kunati i saj.
Në letrën e publikuar nga Kuçi, Zekaj i ishte drejtuar edhe kryetarit të Komunës së Pejës, duke ngritur shqetësime për reagimin e institucioneve dhe masat e ndërmarra për parandalimin e dhunës ndaj grave.
26/10/2026 11:29- Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme sot për vrasjen e Arlinda Zekajt

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, në orën 16:00, një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës dhe përgjegjësinë institucionale për këtë rast.
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme u bë e ditur sot në komisionin për legjislacion.
Arlinda Zekaj u vra të shtunën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari për vrasjen është kunati i saj, i cili, ndodhet ende në arrati.
26/10/2026 10:43- IKD kërkon hetim të plotë për vrasjen në Vitomiricë dhe përgjegjësi për institucionet

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv për vrasjen e gruas në Vitomiricë të Pejës, si dhe për veprimet apo mosveprimet e institucioneve që e kishin trajtuar rastin.
IKD kërkon që hetimi të përfshijë Policinë, Prokurorinë, Gjykatën dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ndërsa për shkeljet eventuale të ketë përgjegjësi penale, disiplinore dhe administrative.
Instituti gjithashtu u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të nisin hapa konkretë për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë dhe ka ofruar ndihmë juridike falas për familjen e viktimës.
26/10/2026 10:43- Vrasja e Arlinda Zekajt, në Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve kërkohet drejtësi

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila, tri ditë para se të vritej, kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun me të cilin përballej.
Haxhiu, në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, tha se rasti është dëshmi e dështimit të shtetit, duke kërkuar nga deputetët që të mos presin vetëm gratë të reagojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi.
Ndërkaq, zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Fahrush Rexhepi, shprehu dhimbje dhe shqetësim për rastin, duke thënë se problemet në shoqëri janë të shumta dhe se nevojitet kontribut i përbashkët për përmirësimin e gjendjes.
26/10/2026 10:32- Vrasja e Arlinda Zekajt, Muhaxheri kërkon verifikim të plotë të veprimeve institucionale

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, komuna ka kërkuar verifikim të plotë të çdo hapi dhe kontakti që institucionet kanë pasur lidhur me rastin.
Përmes një postimi në Facebook, Muhaxheri ka shprehur ngushëllime për familjen e Zekajt, duke e cilësuar rastin si alarm për shoqërinë dhe mekanizmat institucionalë.
26/10/2026 10:31- Kryeprokurori kërkon raport për rastet e Arlinda Zekajt, paralajmëron masa nëse konstatohen shkelje

Kryeprokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime për të shqyrtuar trajtimin institucional të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.
Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se është autorizuar koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku viktimë ishte Zekaj.
Po ashtu, kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, i është kërkuar raport i detajuar me shkrim për mënyrën se si janë trajtuar rastet e të ndjerës.
26/10/2026 10:31- Presidentja reagon pas vrasjes në Vitomiricë, kërkon përgjegjësi institucionale

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së gruas në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për rastin.
Ajo u ka bërë thirrje organeve kompetente që, përveç rrethanave të vrasjes dhe përgjegjësisë penale të personave të dyshuar, të hetojnë edhe mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin atë.
26/10/2026 10:30- Gjini kërkon arrestime e dorëheqje pas vrasjes së Arlindës: Ndryshe, institucionet janë spektatore të krimit

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Gjini ka veçuar mesazhin që Zekaj i kishte dërguar Prokurorisë në Pejë tri ditë para se të vritej.
“Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, citoi Gjini mesazhin e viktimës.
26/10/2026 10:29- Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se duhet të shqyrtohen edhe veprimet e institucioneve, pasi viktima kishte denoncuar dhunën në familje pak para se të vritej.
Haxhiu përmes një njoftimi për media ka thënë se është thellësisht e tronditur nga vrasja e Zekajt, e cila, sipas saj, u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte raportuar dhunën në familje.
26/10/2026 10:28- Avokatja e Arlindës kishte dorëzuar ankesë disiplinore ndaj prokurores, thotë se shteti e vrau

Avokatja Adelina Hoxha, e cila përfaqësonte tani më të ndjerën Arlinda Zekajn në çështjet që lidheshin me dhunën në familje dhe kontestin për fëmijën e saj, ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucioneve pas vrasjes së saj në Vitomiricë të Pejës.
Në një deklaratë për Telegrafin, Hoxha ka thënë se përgjegjësia për këtë tragjedi nuk duhet të shihet vetëm përmes autorit të dyshuar të vrasjes, por edhe përmes mënyrës se si institucionet i trajtuan kërkesat e Arlindës për ndihmë.
“Mundem me thanë shkurt që shteti e ka vra. Prokurorja s’e ka ushtru detyrën e vet”, është shprehur Hoxha.
26/10/2026 10:27- Abdixhiku për vrasjen e Arlinda Zekajt: I detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë, tani i detyrohemi drejtësi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në trajtimin e rastit të saj.
Abdixhiku ka thënë se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe e kishte paralajmëruar Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej.
26/10/2026 10:26- Reagime të ashpra pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Kush do të japë llogari?

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësuese politike dhe aktiviste, të cilat kanë kërkuar hetim urgjent dhe përgjegjësi institucionale për rrethanat që i paraprinë vdekjes së saj.
U.d e kryetares së Partisë Demoratike të Kosovës, Vlora Çitaku, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, asamblistja e Partisë Socialdemokrate (PSD) në Deçan dhe ish-kandidatja e kësaj partie për kryetare të komunës, Natyra Kuçi, ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj dhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani kanë reaguar publikisht pas rastit tragjik.
26/10/2026 10:25- "Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan", fjalët tronditëse që la vetë Arlinda Zekaj tri ditë para se të vritej

Arlinda Zekaj kërkoi drejtësi vetëm tri ditë para se t’i merrej jeta. Sot, pyetja që rëndon mbi institucionet është: a u dëgjua zëri i saj kur ende mund të bëhej diçka për ta mbrojtur?
Arlinda Zekaj u vra mbrëmë rreh orës 21:10 në Vitomiricë të Pejës. Sipas informacioneve të bëra publike, i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili raportohet se ndodhet ende në arrati.
Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
26/10/2026 10:24- E vrau me mjet të fortë kunatën në Vitomiricë të Pejës, i dyshuari ende në arrati

Pas vrasjes së rëndë dhe tragjike ku mbeti e vdekur një grua e cila ngjarje ndodhi mbrëmjen e së dielës rreth orës 21:10 i dyshuari ende ndodhet në arrati.
Sipas njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.
“Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati”, thuhet në njoftim.
26/10/2026 10:22- Arlinda Zekaj kërkoi llogaridhënie tri ditë para vrasjes, Prokuroria konfirmon se nisi shqyrtimin e parashtresës

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se më 22 tetor ka pranuar një parashtresë nga Arlinda Zekaj, e cila u vra tragjikisht, tri ditë pasi kishte adresuar shqetësimet e saj te institucionet përgjegjëse.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, përmes parashtresës, Zekaj kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve institucionalë, duke pretenduar për dështime në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rasteve të saj, përfshirë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftim.
26/10/2026 10:21- “Mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”, letra rrëqethëse e Arlinda Zekajt, tri ditë para vrasjes

"Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Këto janë fjalët tronditëse që Arlinda Sylaj Zekaj ia drejtoi Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes një letre të siguruar nga Sinjali, e që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026, vetëm tri ditë para se të vritej në Vitomiricë të Pejës.
Në letrën e publikuar në fotografi, viktima kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre.
26/10/2026 10:17- Vritet një grua në Vitomiricë të Pejës, policia: Autori dyshohet të jetë kunati i saj

Një grua është gjetur pa shenja jete të dielën mbrëma në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa Policia e Kosovës po heton rastin si vrasje të dyshuar.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në këtë fshat. Viktima ishte shoqëruar në stacionin policor, ku ishte intervistuar. Po ashtu, ishte arrestuar dhe intervistuar bashkëshorti i saj, i cili ishte ndaluar për 48 orë.
Pas intervistimit, viktima, me vullnetin e saj, ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Megjithatë, rreth orës 21:10, Policia është njoftuar se e njëjta grua ishte gjetur pa shenja jete.





























