E DEKLARON ME GOJËN E VET: KAM KORRUPTUAR SHTETIN/ Shteti është nocion i madh, pyetja është: Cilët janë shtetarët që korruptoi Ermal Beqiri dhe a është gati “PENTITO” i parë?

“Nëse kam korruptuar dikë, është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Ka ende një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, deklaroi Beqiri para gjyqtarëve francezë

Deklarata e Ermal Beqirit në Apelin e gjykatës së Amiens se: “Nëse kam korruptuar dikë, është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Ka ende një problem. Kjo çështje është thjesht politike” është një deklaratë që duhet lexuar me seriozitetin e duhur. Në një farë mënyre, nga gjykata e Amiensit Ermal Beqiri u bë një “gjysëm pentito”. Ai pranoi se PO, ka bërë korrupsion dhe se këtë korrupsion e ka bërë me shtetarë të ndryshëm. E madje asnjë nga këto shtetarë nuk është para drejtësisë.
Po ta zbërthesh me detaje, deklarata e Ermal Beqirit është tronditëse. Ai deklaron se asnjë nga ata të cilët ka korruptuar nuk është në burg. Por deri më sot, nga zyrtarët e lartë për çështjen ku është përfshirë Ermal Beqiri, të akuzuar dhe para drejtësisë janë Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi dhe Daniel Shima.
Por Ermal Beqiri nuk iu referua këtyre. Këta janë tashmë para drejtësisë.
Ermal Beqiri nënkuptoi dhe dërgoi një “mesazh” të koduar në Shqipëri, se ai e ka llafin për “më nalt”.
Dinamika e çështjes ku është përfshirë Ermal Beqiri është tejet interesante.
Ai nga gjykata e Parisit është bërë një “gjysëm pentito” duke pranuar se ka bërë korrupsion me shtetarët shqiptarë. Tani pyetja që shtrohet është: A do të pranojë Ermal Beqiri të bëhet “koka e turkut” në një histori miliardëshe, apo do të jetë zyrtarisht “PENTITO” i parë që mund të trondisë realisht themelet e një sistemi të korruptuar deri në palcë duke ndarë si leckë lekët e taksave të Shqiptarëve?

Akuzat ndaj Ermal Beqirit?
Ndaj tij, SPAK ka ngritur veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Hetimet përfshijnë 19 procedura prokurimi publik, me një vlerë totale të përllogaritur prej rreth 59 milionë eurosh.
Megjithatë, mbrojtja e Beqirit kundërshtoi vlefshmërinë dhe përmbajtjen e këtyre dokumenteve. Avokati i tij, Nicolas Paganelli, i cilësoi ato të paplota dhe të pamjaftueshme për të garantuar respektimin e të drejtave të klientit të tij.
“Këto janë drafte, jo punë serioze. Ju nuk jeni shërbimi që duhet të plotësojë garancitë diplomatike të paplota”, deklaroi avokati gjatë seancës.
Vetë Beqiri mësohet se ka kundërshtuar akuzat duke shprehur mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Nëse kam korruptuar dikë, është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Ka ende një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, deklaroi Beqiri para gjyqtarëve francezë.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Amiens mbajti qëndrim në favor të ekstradimit të biznesmenit drejt Shqipërisë. Përfaqësuesi i akuzës argumentoi se Dhoma e Hetimit nuk ka për detyrë të gjykojë në tërësi funksionimin e sistemit gjyqësor shqiptar.
“Ju po kërkoni të mbani një qëndrim mbi sistemin gjyqësor shqiptar, por ky nuk është roli i Dhomës së Hetimit”, u shpreh prokurori francez.
Kujtojmë se Ermal Beqiri u arrestua pasi fluturoi me avionin e tij privat në një lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly, midis Dieppe dhe Le Tréport të Francës. Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.
Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. Edhe pse pritej që të lirohej pas përfundimit të kësaj procedure, Beqiri vijon të qëndrojë në burgun e Beauvais, pasi autoritetet shqiptare i kanë dërguar Francës një kërkesë për ekstradimin e tij. Autoritetet franceze i kanë sekuestruar një kështjellë të shekullit të 16-të , gati 1 orë larg Parisit, llogari bankare me një vlerë prej më shumë se 2.1 milion euro, dy apartamente në jug të Francës, disa automjete, një jaht si dhe një avion të lehtë.

Priza.al paçka çdo kostoje në përballlimin e publikimit të së vërtetës, i bën me dije dhe rikujton këdo që nuk është dakord me artikujt tanë apo me qendrimimin tonë redaksional, t’i drejtohen gjykatës.
Misioni i priza.al është i qartë dhe i pandalshëm: “Këtu lexoni atë që nuk thuhet askund”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply