Rritja e dividendit, TVSH dhe heqja e taksës së qarkullimit, ministri i Financave sqaron masat

Ministri i Financave Petrit Malaj ka konfirmuar ndryshimet e paketës fiskale, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare.
Ndryshimet kryesore për taksat, sipas ministrit të Financave Malaj do të jenë rritja e dividendin nga 8% në 15%, rishikimi i tatimit progresiv për tatimin mbi të ardhurat të pagave, uljen e pragut të TVSH për bizneset nga 10 mln lekë xhiro vjetore në 5 mln lekë.
Ndryshimi të tjera të konfirmuara nga ministri i Financave janë edhe ulja e TVSh për produktet e shportës ushqimore për 54 produkte, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekë për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjetit.
“Ndryshimet kryesore përfshijnë:
-rritjen e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%;
-rishikimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar shtresën e mesme dhe duke forcuar progresivitetin për të ardhurat më të larta;
-uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë;
-rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%
-aplikimin e normës së reduktuar 6% për 54 produkte të shportës bazë;
-zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga konsumi te taksa vjetore e automjetit;
-vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian”.
Ministri Malaj theksoi se ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilën bazohen është rishpërndarja e të ardhura, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe shtresës së mesme.
“Ndaj, Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore: Rishpërndarjen e të ardhurave; Forcimi i drejtësisë fiskale; Përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor;
Në këtë kuadër janë propozuar ndryshime në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale, TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesë të BE, si dhe zhvendosjen e takës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve.
Këto masa synojnë të sigurojnë një sistem fiskal më të drejtë, të rrisin kontributin e atyre, që kanë aftësi më të lartë paguese, të kufizojnë hapësirat për shmangien fiskale, si dhe të garantojnë të ardhura të qëndrueshme për financimin e politikave publike dhe investimeve prioritare”, pohoi ai.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje ndryshime në taksimin e pronave, me fokus të veçantë te apartamentet bosh dhe vilat në zonat bregdetare. Ndryshimet pritet të përfshihen në projektligjin e ri për taksimin e pasurive të paluajtshme, i cili parashikon rritjen e nivelit të taksimit dhe ndryshimin e formulës së llogaritjes së detyrimit tatimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









