ProEksport Albania kundërshton favorizimin e Guna Tactical për uniformat e shtetit

ProEksport Albania (PEA), në përfaqësim të industrisë shqiptare të konfeksioneve dhe këpucëve, shpreh kundërshtimin e saj të fortë ndaj politikës së Qeverisë për krijimin dhe favorizimin e shoqërisë Guna Tactical, një ndërmarrje me pjesëmarrje shtetërore dhe private, në tregun e prodhimit dhe furnizimit me uniforma ushtarake.
Me VKM nr. 291, datë 28.05.2025, Qeveria miratoi kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore KAYO sh.a. me sektorin privat për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve.
Ky vendim parashikon gjithashtu autorizimin për furnizimin e Forcave të Armatosura përmes shoqërisë që do të krijohet.
Ky model ngre shqetësime serioze për mundësinë e orientimit të furnizimeve shtetërore drejt një operatori të privilegjuar, përmes mekanizmave të kontraktimit të drejtpërdrejtë, pa një konkurrim të hapur ndërmjet prodhuesve.
Situata bëhet edhe më shqetësuese nga anulimi i procedurave të prokurimit për uniformat e institucioneve shtetërore, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mundësinë reale të ndërmarrjeve private shqiptare për të konkurruar në këtë treg.
Është e papranueshme që shteti të krijojë një ndërmarrje ku është vetë aksionar dhe, njëkohësisht, të krijojë kushte për favorizimin e saj në furnizimet publike, duke rrezikuar përjashtimin e prodhuesve privatë vendas nga konkurrenca. Industria shqiptare e konfeksioneve ka investuar prej dekadash në teknologji, kapacitete prodhuese dhe kualifikimin e mijëra punonjësve.
Një pjesë e ndërmarrjeve tona prodhojnë uniforma ushtarake për tregjet e vendeve anëtare të NATO-s, duke dëshmuar standardet e larta të cilësisë dhe aftësitë e tyre konkurruese në tregjet ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










POLITIKA KRIMINALE E RAMES PER TE PASURUAR ATA QE AI KA NEVOJE PER TA NDIHMUAR.
PRA BLE FAVORE PER VEHTE ME PARATE E TAKSAVE TONA.