Qindra mijëra njerëz në Francë, Gjermani dhe Itali do të dalin në rrugë sot, 31 tetor, për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës, ndërsa një valë pakënaqësie ndaj autoriteteve po përhapet në të gjithë Evropën. Në Spanjë, policia është në gjendje gatishmërie për protesta të mundshme në qendër të Madridit, pas përplasjes së trenave ku vdiqën 69 persona.
Fundjava paraqet rrezik të lartë për shpërthimin e trazirave, me protesta që priten gjatë ditën e që mund të vazhdojnë natën, paralajmëroi ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez. Ai deklaroi se janë thirrur tubime në disa qytete franceze, me mesazhe të hapura për rebelim. Zyrtarë paralajmëruar se Halloweeni mund t’u shërbejë protestuesve si mbulim për dhunë.
Në javët e fundit protesta kanë shpërthyer gjithandej Evropës, nga Belgjika dhe Portugalia në Shqipëri e Serbi, shkruan Index. Forca shtytëse e tyre janë të rinjtë.
Franca do të shpërndajë 70.000 policë gjatë fundjavës nëpër terren.
Në Gjermani një grup të rinjsh shkroi në rrjete sociale: “Francezët na kanë treguar rrugën, ne do t’i ndjekim”. Kjo iniciativë po organizon protesta në 32 qytete për mbrëmjen e shtunë.
Në Itali kryeministrja Giorgia Meloni ka vendosur masa të rrepta sigurie pas protestave që u shndërruan në të dhunshme.
Numër më i vogël protestuesish sot në Francë
Protesta kanë nisur në Paris ndërsa të tjera po ndodhin edhe në Lille dhe Lyon.
Ministria e Brendshme franceze ka thënë se rreth 15 mijë njerëz po marrin pjesë nëpër protestat në Francë, duke theksuar se situata aktualisht është e qetë.
Megjithatë, Policia deri në mesditë ka arrestuar 27 persona.
Dy organizata të studentëve kanë bërë thirrje për bllokada për t’u qasur në shkolla dhe universitete të martën dhe të mërkurën dhe kanë kërkuar që studentët të marrin pjesë në protestën e 5 nëntorit të thirrur nga punëtorët.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka paralajmëruar protestuesit se nëse maskohen duke shfrytëzuar natën e Halloweenit për të shkaktuar trazira, do të gjobiten me 150 euro.
Ndërkohë në Gjermani po ashtu raportohet se rreth 2700 persona po protestojnë në Berlin, e rreth 1800 në Munih e Frankfurt.
Përhapen protestat në Gjermani, priten mbi 160 mijë pjesëmarrës
Mbi 160 mijë persona në mbarë Gjermaninë pritet të marrin pjesë në demonstratat e së shtunës, sipas organizatorëve. Një lëvizje e udhëhequr nga të rinjtë, e frymëzuar nga protestat në vende të tjera të Evropës, do të dalë në rrugë për të kërkuar përmirësimin e sistemit arsimor dhe uljen e kostos së jetesës.
Protestat vijnë pas një vale demonstratash të udhëhequra nga të rinjtë në të gjithë Evropën gjatë këtij viti. Në Serbi, aktivizmi i udhëhequr nga studentët ndihmoi në largimin nga pushteti të udhëheqësit shumëvjeçar të vendit përmes zgjedhjeve, ndërsa protestat në Francë kanë përshkallëzuar në trazira dhe plaçkitje.
Demonstratat në Gjermani, të organizuara nga grupi i aktivistëve “Gen Z regelt” (Gjenerata Z merr situatën në dorë), janë planifikuar në 34 qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin dhe Mynihun. Grupi kundërshton shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe kërkon më shumë investime në arsim, në një kohë kur shumë të rinj gjermanë po përballen me rritjen e kostos së jetesës, raporton Reuters.
Autoritetet gjermane presin që demonstratat e së shtunës, të cilat përkojnë me festimet e Halloweenit, të jenë kryesisht paqësore, por kanë paralajmëruar për përpjekje të grupeve ekstremiste për ta shfrytëzuar këtë festim.
Sipas Ministrisë Federale të Brendshme, në përpjekjet për të mobilizuar mbështetje janë përfshirë edhe pjesë të skenës ekstremiste të së majtës radikale në Gjermani, si dhe disa grupe të lidhura me lëvizje ekstremiste të huaja.
“Ne i kemi të gjithë në mendje pamjet nga Franca - plaçkitjet, djegien e shtëpive, djegien e automjeteve të policisë dhe sulmet ndaj policëve”, tha Roman Poseck, ministri i Brendshëm i rajonit të Hessenit, ku ndodhet Frankfurti, qendra financiare e Gjermanisë.
“Franca nuk duhet të shërbejë si model në këtë drejtim”, shtoi ai.
Në Berlin, disa biznese përgjatë bulevardit luksoz të blerjeve Kurfürstendamm kanë vendosur mbrojtëse në dritaret e tyre dhe kanë planifikuar të mbyllen më herët, përpara demonstratave, për shkak të shqetësimeve për trazira të mundshme.
Për organizatorët, megjithatë, fokusi është te ajo që ata e konsiderojnë si presionin në rritje ndaj brezave të rinj në ekonominë më të madhe të Evropës.
“Qeveria nuk u është përgjigjur shqetësimeve tona me asgjë tjetër, përveçse duke vazhduar shkurtimet dhe duke na ngarkuar me barra edhe më të mëdha”, tha Steve, 18 vjeç, i cili pritet të mbajë një fjalim në protestën në Mynih, duke iu drejtuar kancelarit Friedrich Merz.
“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë të drejtën tonë themelore për t'u tubuar, derisa ju të ndaloni së na injoruari”, shtoi ai.
Megjithatë, janë ngritur pikëpyetje se kush po e drejton këtë fushatë dhe nëse ajo është vërtet një lëvizje e udhëhequr nga të rinjtë, duke pasur parasysh përfshirjen e një numri të madh grupesh politike dhe të shoqërisë civile.
Organizata kombëtare e nxënësve të shkollave në Gjermani, BSK, është distancuar nga kjo nismë dhe ka njoftuar se do të organizojë një ditë të veçantë protestash më 20 nëntor.
“Ne distancohemi nga ‘Gen Z regelt’, por jo nga vetë nxënësit, të cilët kanë shqetësime të ligjshme”, tha të enjten sekretarja e përgjithshme e BSK-së, Amy Kirchhoff.