Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

“Do të të ndodhë si Arlinda Zekajt”, arrestohet drejtori i Spitalit të Mitrovicës për kanosjen e gruas

Gëzim Berisha

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është arrestuar të premten mbrëma nën dyshimet për dhunë në familje. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka konfirmuar se do ta procedojë suspendimin e tij nga detyra.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për KOHËN se bashkëshortja e Berishës është ankuar për dhunë të vazhdueshme psikike nga ana e tij. Sipas Policisë, çifti nuk bashkëjeton prej disa muajsh.

Ndërkaq, sipas raportimit të “Betimit për Drejtësi”, Berisha dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten me fjalët: “Do të ndodhë edhe ty si Arlinda Zekajt”, gruas që u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj.

Në një reagim, SHSKUK-ja i ka cilësuar jashtëzakonisht të rënda pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje, duke bërë të ditur se do ta procedojë suspendimin e Berishës pas konfirmimit zyrtar për ndalimin e tij nga organet e rendit dhe drejtësisë.

“SHSKUK-ja i konsideron jashtëzakonisht të rënda pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje, duke ritheksuar qëndrimin për zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës dhe se askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në reagim.

SHSKUK-ja ka bërë të ditur se do të sigurojë vazhdimësinë e udhëheqjes dhe funksionimin normal të Spitalit të Mitrovicës, në mënyrë që të mos cenohet ofrimi i shërbimeve për pacientët.

Edhe Valë suspendimesh, pas vrasjes së Arlinda Zekajt LAJMET E MBRËMJES Valë suspendimesh, pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Arlinda Zekaj, e cila u vra të dielën në Vitomiricë, e kishte denoncuar paraprakisht ish-bashkëshortin për dhunë dhe i kishte paralajmëruar disa herë institucionet për rrezikun që i kanosej.

Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve. 

Sapo të ketë reagim nga pala mbrojtëse, artikulli do të përditësohet.