
Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, pritet t’i paraqesë dorëheqjen e qeverisë mbretit Philippe, pas dështimit të negociatave për buxhetin, të cilat vijuan gjatë gjithë natës.
Sipas Euronews, De Wever do të pritet në audiencë nga mbreti në orën 09:30, ku pritet t’i komunikojë vendimin e tij. Negociatat me kabinetin qeveritar nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje për buxhetin, duke e thelluar krizën politike dhe financiare në vend.
Qeveria belge duhet të gjejë kursime në vlerën e 10 miliardë eurove, në mënyrë që të përmbushë kufijtë e shpenzimeve të përcaktuar nga Bashkimi Evropian.
Deficiti buxhetor i Belgjikës arriti në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e kaluar, ndërsa rregullat evropiane parashikojnë një kufi maksimal prej 3%. Ndërkohë, borxhi publik i vendit ka kaluar 735 miliardë euro, duke përfaqësuar më shumë se 110% të PBB-së, kundrejt kufirit prej 60% të përcaktuar nga rregullat e BE-së.
Dështimi i negociatave ka ndikuar edhe në tregjet financiare, ku janë rritur normat e interesit për obligacionet shtetërore. Si pasojë, Belgjika përballet me kosto më të larta për shërbimin e borxhit.
Nëse mbreti Philippe e pranon dorëheqjen, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Megjithatë, kreu i shtetit mund edhe ta refuzojë dorëheqjen ose ta mbajë atë në shqyrtim.
Zhvillimet pritet të qartësohen pas takimit mes kryeministrit dhe mbretit.