Studentët kanë vijuar protestën në ditën e 21-të të revoltës kundër qeverisë, duke marshuar në disa fakultete të Tiranës dhe duke bërë thirrje për bojkotimin e mësimit.
Grupi i studentëve të Universitetit Politeknik është drejtuar fillimisht në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku ka hyrë në ambientet e brendshme dhe ka kaluar nëpër salla, duke bërë thirrje: “Bojkotoni mësimin”.
Të njëjtën gjë kanë bërë edhe në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Gjuhëve të Huaja, ndërsa më pas janë drejtuar drejt Fakultetit të Drejtësisë. Studentët kanë marshuar edhe në fakultete të tjera, përfshirë Shkencat e Natyrës dhe Universitetin e Mjekësisë.
Pas marshimit në universitetet e kryeqytetit dhe bashkimit të grupeve të ndryshme studentore, protestuesit janë drejtuar drejt Kryeministrisë, ku janë pozicionuar dhe kanë vijuar tubimin.
Para godinës së qeverisë janë dëgjuar thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Policia e krimit” dhe “Turp, turp”. Të rinjtë janë shfaqur me flamuj kombëtarë kuq e zi, ndërsa kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Studentët kundërshtojnë klasën aktuale politike dhe kërkojnë ndryshim të drejtimit të vendit, duke e cilësuar lëvizjen e tyre si një revoltë që vijon prej 21 ditësh.





