Erion Veliaj ka reaguar publikisht në lidhje me takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, duke publikuar një letër që pretendon se e ka shkruar me dorën e tij dhe ku përshkruan mesazhin që, sipas tij, i është përcjellë në emër të kryeministrit Edi Rama.
Në reagimin e tij në Facebook, Veliaj mohon pretendimet se ka organizuar apo financuar protestat, ndërsa akuzon kryeministrin për presion dhe kërcënime. Ai u shpreh se nuk dëshiron të dëmtojë Partinë Socialiste, por nuk do të lejojë që të cenohet dinjiteti i tij.
“Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkruan Veliaj.
Ai sfidoi Ramën të paraqesë prova për pretendimet se ka organizuar apo financuar protestat, duke i drejtuar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë: “Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”
Në letrën e publikuar, e cila sipas Veliajt i referohet takimit të së premtes në orën 22:30, ai pretendon se Toni Gogu i ka përcjellë një mesazh të kryeministrit, që lidhej me transferimin dhe izolimin e tij në burg.
Sipas përshkrimit të Veliajt, mesazhi përmbante tri kërkesa: të pranonte përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave të përmendura si “Flamingot” dhe “Studentët”, të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe ta delegonte drejtimin te Arbër Hajdari, si dhe të ndërpriste konsultimet me avokatin Plarent Ndreca.
Në letër pretendohet gjithashtu se, në rast të mospranimit të këtyre kërkesave, ndaj tij mund të shtoheshin akuza për “prishje të rendit kushtetues” dhe se mund të dënohej me 100 vite burg, duke u transferuar në burgjet 313 ose 302.
Veliaj pretendon se Rama është përfshirë personalisht në vendimet për transferimin dhe izolimin e tij, si dhe në çështje që lidhen me lejet për trajtim spitalor, takimet dhe kontaktet me familjarët e miqtë.
Publikimi i letrës vjen pas reagimit të ministrit Toni Gogu, i cili konfirmoi takimin me Veliajn, por mohoi se i kishte përcjellë mesazhet e përshkruara në raportimin e Hashtag.al. Gogu deklaroi se vizita kishte karakter institucional dhe se kishte shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e bëra publike nga avokati.


