Projektbuxheti i vitit 2027 ka nisur shqyrtimin në komisionet parlamentare, ku shtatë komisione zhvilluan diskutime për zërat e buxhetit dhe paketën fiskale. Deri më tani, projektbuxheti është miratuar në parim nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i Burimeve Natyrore.
Buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm arrin në 976 miliardë lekë, ose rreth 10.7 miliardë euro.
Zëri më i madh i shpenzimeve është mbrojtja sociale, për të cilën janë parashikuar rreth 279.7 miliardë lekë. Fondet synojnë të mbështesin shtresat në nevojë, pensionistët, gratë e papuna me tre fëmijë, si dhe programet e strehimit social.
Në projektbuxhet janë parashikuar edhe ndryshime në skemën e pensioneve. Indeksimi pritet të zhvendoset në muajin prill, ndërsa parashikohet dyfishimi i bonuseve mujore, në varësi të masës së pensionit që përfiton secili qytetar.
Ndryshime do të ketë edhe për bonusin e bebes. Sipas skemës së propozuar, përfitimi do të kalojë nga një çek i vetëm në pagesa mujore, të cilat do të vijojnë deri në moshën pesëvjeçare të fëmijës.
Një tjetër zë i rëndësishëm janë investimet publike, për të cilat në vitin 2027 parashikohen rreth 2 miliardë euro. Prioritet do të kenë projektet infrastrukturore, mes tyre akset Elbasan–Lekaj dhe Elbasan–Qafë Thanë, zgjerimi i rrugës Tiranë–Durrës, aksi Tiranë–Ndroq–Plepa dhe bypass-i i Tiranës.
Në projektbuxhet është përfshirë gjithashtu financimi i Portit të ri Tregtar në Porto Romano, një prej projekteve infrastrukturore të parashikuara për vitet në vijim.
Projektbuxheti 2027 do të vijojë shqyrtimin në komisionet parlamentare përpara se të kalojë në fazat e mëtejshme të procesit të miratimit.
