Një 36-vjeçar nga Shkodra, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar në Spanjë. Armando Ndreu u prangos në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u bë pas shkëmbimit të informacionit mes strukturave shqiptare dhe Interpol Madridit.
Ndaj Ndreut, në vitin 2022, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
36-vjeçari dyshohet se në mars të vitit 2022, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një biznesi në pronësi të shtetasit S. S., në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës. Nga të shtënat u shkaktuan vetëm dëme materiale, ndërsa nuk pati persona të lënduar.
Ndreu pritet të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me akuzat.


