VIDEO/ Bozdo: Paketa fiskale rrit taksat dhe rëndon biznesin, paratë shkojnë për PPP dhe koncesione, jo për qytetarët

20:35, 02/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka kritikuar paketën fiskale të qeverisë, duke deklaruar se ajo nuk përmban masa për luftimin e informalitetit, por shton barrën fiskale dhe kostot për bizneset.

I ftuar në emisionin “Edicioni i Mbrëmjes” në SYRI TV, me moderatorin Edvin Parruca, Bozdo tha se ulja e kufirit të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë do të nxisë informalitetin dhe evazionin fiskal, në një kohë kur ekonomia ndodhet në një situatë të vështirë.

Sipas deputetit demokrat, problemi nuk qëndron vetëm te mënyra se si mblidhen taksat, por edhe te destinacioni i parave të mbledhura, të cilat, sipas tij, nuk orientohen drejt sektorëve prioritarë për shoqërinë.

Ai kundërshtoi pretendimet për ulje taksash, duke theksuar se, në tërësi, paketa fiskale sjell rritje të barrës tatimore dhe kosto shtesë rregullatore për më shumë se 18 mijë biznese.

‘Nuk ka asnjë masë për të luftuar informalitetin. Përkundrazi, ulja e kufirit të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë me siguri do të rrisë informalitetin, pasi situata ekonomike është shumë e rëndë. Të gjitha këto, të marra së bashku, pavarësisht se si i paraqisni, përbëjnë një barrë tepër të rëndë për ekonominë.

Dhe jo vetëm për ekonominë, por edhe për mënyrën se si shpërndahen paratë e mbledhura, të cilat nuk orientohen drejt prioriteteve që shoqëria i ka të qarta. Nuk financohet bujqësia, nuk financohet industria, nuk financohet arsimi, i cili ka mbetur në 2,5% të buxhetit. Nuk financohet as shëndetësia, po ashtu me 2,5%.

Pra, këto janë prioritetet dhe këto nuk financohen. Kaq e thjeshtë është. Të mos ngatërrohemi me një milion gjëra të tjera: u ul kjo, u ngrit ajo. Jo, fare, fare, fare! Në total kemi rritje taksash dhe kosto të shtuara të mëdha rregullatore për mbi 18 mijë biznese.

A ngjan kjo me uljen e çmimit të karburantit? Nuk e di nëse tallet apo jo. Tallet me uljen e çmimit të karburantit dhe pastaj thotë se atë taksë do ta çojë te makinat.

Pra, paketa fiskale duhet gjykuar në këtë mënyrë. Ajo nuk gjykohet një për një, nëntë për nëntë e kështu me radhë. Paketa fiskale gjykohet në tërësinë e saj. Dhe pyetja është: çfarë u bën ti bizneseve në këtë situatë ku ndodhemi dhe ku i çon ato 10 miliardë euro të famshme? Ku i çon? Në cilin sektor i orienton? Për PPP-të, për koncesionet, për ndërtimin apo për nevojat që ka identifikuar shoqëria, për të cilat kërkon zgjidhje opozita, biznesi e të tjerë? Kjo është çështja.

Edhe një herë: mbledhja e taksave nuk është qëllim në vetvete. Taksat duhet të mblidhen, por çështja është se, ashtu siç mblidhen, duhet edhe të shpërndahen.

Në një ekonomi shumë të ngarkuar, ku bujqësia dhe industria nuk funksionojnë, ku janë në pikiatë dhe në rënie të lirë, prodhimet ‘Made in Albania’ po zhduken. Këtu merr frymë vetëm ndërtimi, i mbështetur nga paratë e drogës. Kjo është tabloja në fund të historisë.

Fermerët vuajnë dhe kanë ngritur zërin për mungesën e financimit. Edhe sektori industrial, edhe prodhuesit shqiptarë thonë se nuk mund të vazhdohet më kështu. Ti u merr edhe ato pak kapital që ata kanë vënë mënjanë, duke ua rritur taksën nga 8% në 15%. Po pse e bën këtë? Për çfarë arsyeje? Çfarë do të tregosh, se unë të kam në dorë dhe të shtyp sa herë të dua?

Kjo ndodh në një klimë ku inspektorët dhe inspektoratet vazhdojnë kontrollet dhe, sipas kritikave të biznesit, secili shkon të mbushë xhepin e vet.

Tani, pse e ul kufirin nga 10 milionë në 5 milionë lekë në emër të luftës kundër informalitetit? Kjo masë nuk do të funksionojë. Bizneset e vogla do të ndahen në dy NIPT-e, në mënyrë që të shmangin këtë detyrim. Pra, në një situatë kaq të rënduar ekonomike, kjo masë rrezikon të rrisë evazionin fiskal.

Ndërkohë, njerëzit dalin në shesh sepse nuk kanë para as për të blerë ilaçe. A do të financohet shëndetësia apo do ta lëmë në gjendjen ku ndodhet? Kemi një problem të madh me sistemin arsimor, i cili është shkatërruar i gjithi. A do të financohen mësuesit apo do t'i lëmë në kushtet ku janë sot?

Kemi gjithashtu një problem shumë të madh me pensionistët dhe shtresat në nevojë. Kemi pensionet më të ulëta. Pesëmbëdhjetë vite më parë kishim pensionet më të larta, ndërsa sot i kemi ndër më të ulëtat, në krahasim me vendet e rajonit dhe jo vetëm me to. Pesëmbëdhjetë vite më parë i kalonim edhe dy vende që tashmë ishin anëtarësuar në Bashkimin Europian, Bullgarinë dhe Rumaninë. Sot ku jemi?

Çfarë do të bëjmë me këto para? Do t'i çojmë për PPP-të? Do t'ua japim përsëri këtyre, që edhe 100 milionë euro të tjera t'i marrë inceneratori i Sharrës? Do t'i çojmë për koncesione apo do t'i orientojmë atje ku kemi nevojë?

A do t'i lëmë pensionistët të vuajnë apo do t'ua rrisim pensionet? Apo do t'i gënjejmë përsëri me ndonjë bonus e kështu me radhë?’, u shpreh deputeti i PD-së Eno Bozdo në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco