Erion Veliaj ka reaguar pas publikimit të pretendimeve për një takim me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, duke publikuar një letër të shkruar me dorën e tij, ku përshkruan atë që e cilëson si kërcënime të përcjella në emër të kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj thotë se nuk pranon të përfshihet në organizimin apo financimin e protestave studentore dhe sfidon kryeministrin të paraqesë prova për këto akuza. Ai shprehet se, pavarësisht kufizimit të lirisë, ka më shumë dinjitet se Rama.
Në letrën e publikuar, të cilën e daton të premten në orën 22:30, Veliaj shkruan se Toni Gogu e ka vizituar pas 20 muajsh dhe i ka përcjellë një mesazh që, sipas tij, vinte nga Edi Rama.
Sipas përshkrimit të Veliajt, kryeministri kishte urdhëruar personalisht transferimin dhe izolimin e tij, duke i vendosur tri kërkesa: të pranonte përfshirjen në protestat e “Flamingove” dhe të studentëve, përndryshe do t’i shtoheshin akuzat për “prishje të rendit kushtetues” dhe do të përballej me 100 vite burg; të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia delegonte drejtimin Arbër Hajdarit; si dhe të mos këshillohej më me avokatin Plarent Ndreca.
Veliaj pretendon gjithashtu se Rama ishte marrë personalisht me transferimin e tij, lejet për spital, takimet dhe aksesin te miqtë e familjarët.
“Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkruan Veliaj, duke e mbyllur reagimin me sfidën drejtuar Ramës për të publikuar prova për pretendimet mbi protestat: “Ndryshe ik!”
Pretendimet e Veliajt janë bërë publike prej tij në një letër që, sipas deklarimit të vetë kryebashkiakut, është shkruar me dorën e tij.





