Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon shtimin e 102 pozicioneve të gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë, me synimin për të përballuar mijëra çështjet e prapambetura dhe për të shkurtuar kohën e pritjes së qytetarëve për një vendim gjyqësor.
Projektvendimi, i hedhur për konsultim publik, parashikon 84 vende të reja të përhershme dhe 18 pozicione rezervë. Me këtë zgjerim, organika e përhershme e gjyqtarëve do të arrinte në 519 vende. Ndërkohë, parashikohet edhe një paketë e përkohshme me 9 gjyqtarë shtesë në Gjykatën e Lartë, për një periudhë nëntëvjeçare, me qëllim trajtimin e dosjeve të akumuluara.
Pjesa më e madhe e pozicioneve të reja do të shpërndahet në gjykatat e shkallës së parë, me 64 vende shtesë, ndërsa 20 të tjera do t’u caktohen gjykatave të apelit. Rritja më e madhe parashikohet në Tiranë, Durrës, Fier dhe në gjykatat administrative.
Sipas dokumentit, në juridiksionin e përgjithshëm propozohet shtimi me 44 gjyqtarë: 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë.
Në juridiksionin administrativ kërkohen 18 pozicione të reja, nga të cilat 16 për Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 për atë të Lushnjës. Ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar parashikohet të shtohet me 2 gjyqtarë.
Një tjetër masë lidhet me Gjykatën e Lartë, ku KLGJ vlerëson se nevojiten 9 gjyqtarë shtesë për një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe të kufizuar në trajtimin e një kategorie të caktuar çështjesh. Kjo paketë synon të ndihmojë në uljen e stokut të dosjeve të mbartura në këtë gjykatë.
Plotësimi i organikës së re parashikohet të bëhet gradualisht deri në vitin 2030, kryesisht përmes prurjeve nga Shkolla e Magjistraturës. Gjyqtarët rezervë do të përdoren për të mbuluar vendet e lira që krijohen kur magjistratët angazhohen në institucione të tjera.
Plani nuk kufizohet vetëm te shtimi i gjyqtarëve. Dokumenti parashikon një minimum prej 336 punonjësish administrativë për 102 pozicionet e përhershme, si dhe 56 punonjës për paketën e përkohshme të Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, kërkohen investime në ndërtesat dhe teknologjinë e gjykatave, përmes një plani të posaçëm infrastrukture.
Kostoja financiare e reformës vlerësohet rreth 14 milionë euro në vit.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi i planit. Aktualisht, në sistem janë efektivisht në detyrë vetëm 309 gjyqtarë, nga 417 vende të parashikuara në organikën ekzistuese. Vakancat dhe mungesa e emërimeve të reja kanë kufizuar kapacitetet e gjykatave, duke ndikuar në krijimin dhe mbajtjen e stokut të dosjeve gjyqësore.


