Partia Demokratike ka kërkuar hetim urgjent për atë që e cilëson si shantazh ndaj Erion Veliajt, pas publikimit të një letre të këtij të fundit nga burgu, ku ai thotë se Edi Rama i ka dërguar në qeli ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, për t’i kërkuar dorëzimin e Bashkisë së Tiranës.
Në deklaratën për mediat, PD thotë se, sipas përmbajtjes së letrës, Veliaj është vënë përpara zgjedhjes që t’ia dorëzojë Bashkinë Arbër Hajdarit ose të përballet me 100 vite burg, nën akuzat për prishje të rendit kushtetues dhe financim të protestës së “Flamingove”.
Demokratët i cilësojnë këto pretendime si kërcënime mafioze dhe shprehen se jeta e Veliajt në burgun e Fierit është në rrezik serioz. Sipas PD-së, rasti tregon se SPAK po përdoret si instrument shantazhi në konfliktin brenda mazhorancës.
Partia Demokratike dënon atë që e quan kërcënim në qeli ndaj Veliajt dhe kërkon hetim urgjent ndaj Edi Ramës, Toni Gogut dhe Arbër Hajdarit, të cilët i akuzon për përpjekje për të marrë në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
DEKLARATA E PD/ Sot mediat publikuan letrën nga burgu të Erion Veliajt, në të cilën ai shkruan se, pas transferimit në burgun e Fierit, Edi Rama i ka dërguar atij në qeli Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe i ka kërkuar të dorëzojë bashkinë te hajduti i damkosur Arbër Hajdari, ose të përballet me 100 vjet burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të ‘Flamingove’.
Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se:
Kërcënimet mafioze ndaj të burgosurit Erion Veliaj janë dëshmi e fytyrës së vërtetë prej kreu të organizatës kriminale (padrino) të Edi Ramës.
Kërcënimi mafioz i të burgosurit Erion Veliaj nga kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Xhelati, dëshmon se jeta e të burgosurit Erion Veliaj në burgun e Fierit është në rrezik tejet serioz.
Ky akt skandaloz dëshmon se SPAK-u nuk po përdoret më si kërbaç vetëm për opozitën dhe mburojë për të korruptuarit, por, më keq akoma, si instrument shantazhi i luftës brenda llojit të bandës në pushtet.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe kërcënimin në qeli të të burgosurit Erion Veliaj dhe kërkon hetim urgjent për këtë akt kriminal të Edi Ramës, Toni Gogut, si dhe të hajdutit të damkosur Arbër Hajdari, që kërkon të marrë në rrugë antiligjore dhe antikushtetuese Bashkinë e Tiranës.



