Analisti Andi Bushati ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet e drejtësisë dhe ndikimin e mundshëm të kryeministrit në vendimmarrjen e tyre.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Bushati u ndal te pretendimet e Veliajt për presion politik përmes SPAK-ut, duke krahasuar trajtimin e tij me atë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila vijon të jetë jashtë qelisë, pavarësisht hetimeve ndaj saj.
Sipas analistit, ky kontrast ngre pikëpyetje mbi kriteret që ndiqen në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë. Ai pretendoi se Rama ka ndikim mbi SPAK-un dhe se përplasja me Veliajn ka nxjerrë në pah këtë raport.
Bushati komentoi edhe takimin e pretenduar mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe Veliajt në burgun e Fierit, duke kërkuar që SPAK të verifikojë nëse vizita është kryer me autorizimin përkatës dhe në përputhje me procedurat.
“Edi Ramën e kemi dhe drejtor të SPAK-ut, dhe drejtor të burgut, edhe kryeministër”, deklaroi Bushati, duke e cilësuar situatën si “diktaturën e një njeriu të vetëm”.
Ai solli në vëmendje edhe rastin e ndryshimit të burgut të Veliajt, duke thënë se reagimi fillestar i Drejtorisë së Burgjeve dhe mungesa e transparencës i japin, sipas tij, arsye për të vënë në pikëpyetje trajtimin e kryebashkiakut.
“Që Veliaj, që në fund të fundit akuzohet për brekët e Ajolës dhe është në burg prej dy vjetësh, dhe Belinda që ka zhveshur brekët e shtetit është jashtë, kjo na bën të kuptojmë kush komandon SPAK-un”, u shpreh ai.
Bushati theksoi se nuk synon të mbrojë Veliajn, por pretendoi se rasti i tij, ashtu si edhe ai i Arben Ahmetajt, tregon mënyrën se si, sipas tij, funksionon pushteti në Shqipëri.
Në vijim, analisti akuzoi SPAK-un se nuk po përmbush misionin e tij për të bërë drejtësi, por po përdoret për njollosjen publike të personave politikë, pavarësisht përkatësisë së tyre.
Ai kërkoi gjithashtu hetimin e rrethanave të takimit të ministrit Gogu me Veliajn, duke ngritur pyetjen nëse një ministër mund të takohet pa autorizim me një person të paraburgosur, çështja e të cilit është nën hetim.
“Pra, edhe sikur Toni Gogu të mos ketë shkuar ta shantazhojë në emër të Ramës, por të ketë shkuar t’i kërkojë diçka në emër të Ramës, a lejohet të shkojë pa leje? A duhet ta hetojë këtë gjë SPAK-u?”, deklaroi Bushati.













